Distria Krasniqi ndezi sërish skenën e xhudos. Xhudistja kosovare, fituese e dy medaljeve olimpike, shkëlqeu të premten në Grand Prixin e Zagrebit, ku u shpall kampione në kategorinë deri 52 kilogramë – një rikthim i fuqishëm pas mungesës së gjatë në gara.
Triumfi në Zagreb është veçanërisht i rëndësishëm për Krasniqin. Për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, ajo tha se “kam kujtime të mira nga Zagrebi. Këtu jam bërë kampione evropiane. Më pëlqen këtu. Është edhe afër kështu që është mirë gjithmonë”, duke treguar lidhjen e veçantë që ka me këtë qytet.
Në finale, kosovarja u përball me hungarezen Reka Pupp, një rivale që e njeh mjaft mirë. Pas 2 minutash e 26 sekondash luftë, Krasniqi realizoi një aksion të bukur për “Ippon”, duke e mposhtur për të dhjetën herë në njëmbëdhjetë ndeshje.
“I them Reka Puppit faleminderit për luftën. Mendoj se kemi pasur shumë përballje, nuk e mbaj mend se sa. Ndoshta në secilën garë është dashur të përballemi me njëra-tjetrën. Gjithmonë është luftë e vështirë. Njësoj ishte edhe kjo e fundit. E respektoj atë shumë, është xhudiste me personalitet shumë të mirë”, u shpreh Krasniqi pas finales.
Kjo ishte gara e parë e saj pas 13 qershorit, kur doli nënkampione e botës në Hungari. Për një sportiste me ritëm të ngjeshur garash, pauza gjashtëmujore ishte e pazakontë.
Ajo e pranoi vetë se “jam shumë e lumtur. Për një kohë të gjatë nuk kam garuar. Nuk më ka ndodhur që të mos garoj për gjashtë muaj, vetëm pas Olimpiadës. Kështu që për mua ishte ditë e mirë. Kam stërvitur shumë dhe mendoj se suksesi është rezultat i punës së madhe pas Kampionatit Botëror. Jam e lumtur që jam në formë të mirë”.
29-vjeçarja tashmë numëron tetë medalje të arta në nivel Grand Prix. Këtë vit ajo ka fituar të bronztën në Grand Slamin e Parisit, të argjendtën në Grand Prixin e Austrisë dhe të artën në Kampionatin Evropian, ndërsa triumfi në Zagreb forcon edhe më shumë statusin e saj në kategorinë 52 kg.
Në fund, Krasniqi theksoi se suksesi nuk ndodh rastësisht, por është rezultat i përkushtimit të gjithë ekipit, i cili punon vazhdimisht për detajet. Ajo shtoi se kjo qasje është arsyeja pse xhudoja kosovare mbetet “spektakolare”.
Të premten në Zagreb garoi edhe Flaka Loxha, e cila u rendit e pesta. Dardan Cena u ndal në luftën e dytë të shtunën, ndërsa të dielën do të garojnë Anes Veseli dhe Shpati Zekaj.
