Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka ngritur shqetësimin për rritjen e varësisë së Kosovës nga importi i energjisë elektrike, duke theksuar se kostoja financiare po bie mbi qytetarët.
Sipas tij, Kosovës i është rritur ndjeshëm fatura e importit gjatë viteve të fundit.
“Nga viti 2019 deri në vitin 2025, Kosova ka parë një rritje të madhe të varësisë nga importi i energjisë elektrike. Shpenzimet për import janë rritur nga rreth 50 milionë euro në vitin 2019, në mbi 168 milionë euro në vitin 2024”, ka shkruar Shala në një postim në Facebook.
Edhe sasia e energjisë së blerë nga jashtë, sipas tij është rritur në mënyrë serioze.
“Sasia e energjisë së importuar është rritur nga 890 mijë MWh në vitin 2019 në mbi 1.3 milionë MWh në vitin 2024”, ka shkruar deputeti.
Shala fajëson performancën e dobët të prodhimit vendor, veçanërisht termocentralet e KEK-ut.
“Këto shifra janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët”, u shpreh ai.
Deputeti ka theksuar se çdo mungesë në prodhim po mbulohet me import, shpesh me çmime të larta dhe se më fund pasojat i bart qytetari.
“Çdo mungesë në prodhim duhet mbuluar me import, duke krijuar hapësirë për përfitime të ndërmjetësve dhe tregtarëve. Barrën e paguajnë qytetarët, përmes rritjes së tarifave të aprovuara nga ZRRE”, ka theksuar Shala.
Shala e quan këtë situatë rezultat të keqqeverisjes aktuale dhe thotë se kërkohen masa urgjente.
“Kjo krizë e krijuar nga keqqeverisja aktuale e bën më të domosdoshme se kurrë investimet e qëndrueshme në kapacitete të reja prodhuese dhe përmirësimin e menaxhimit në KEK. Sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
