Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka uruar Bedri Hamzën pasi u zgjodh kryetar i kësaj partie.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Musliu thotë se ky subjekt politik ndonëse ka pasur sfida, dhe u godit në unitet, nuk është lëkundur.
“Ne jemi më shumë se një parti politike. Ne jemi një ideal, një kauzë, një histori që nuk është ndalur kurrë. Sfida kemi pasur dhe do të kemi, por ne jemi rritur nëpër sfida. Na kanë goditur në unitet sepse i tremben unitetit tonë. I tremben vizionit tonë. I tremben këmbënguljes dhe besimit tonë. Por ne nuk lëkundemi. Sepse ata që transformuan historinë një herë, mund ta bëjnë përsëri. Sepse kapitujt tanë më të mirë ende nuk janë shkruar. Sepse ecim përpara me vlera, me guxim dhe me besim në atë që përfaqësojmë. Le të triumfojë bindja mbi dyshimin, merita mbi mediokritetin. Le të ngrihemi më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë. Urime Kryetar Bedri Hamza”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, Hamza u zgjodh i pari i kësaj partie përmes Konventës e cila u mbajt të hënën pasdite me të gjithë delegatët të cilët votuan pro tij.
