Sindikata e Pavarur e RTK-së i ka dërguar një letër të hapur deputetët të Kuvendit, të cilët nesër pritet të mblidhen për çështjen e buxhetit të këtij mediumi publik.
Në letër, SPRTK thotë se kjo temë tejkalon çdo debat të përditshëm politik dhe prek drejtpërdrejt funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e 700 familjeve kosovare.
Sindikata u bëri thirrje deputetëve që nesër “të reflektoni me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi, në mënyrë që mbi 700 punëtorë të RTK-së t’i marrin pagat dhe të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të mediumit publik”.
“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi i Kosovës, për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim të drejtë, profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”.
“Pavarësisht bindjeve dhe ndarjeve partiake, çështja e transmetuesit publik është përgjegjësi e përbashkët institucionale”, u tha mes tjerash në letrën e hapur të SPRTK.
Kjo Sindikatë tha se prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor dhe se kjo gjendje e rëndë po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe vetë stabilitetin e funksionimit të RTK-së.
Kuvendi ka njoftuar se nesër, me fillim nga ora 11:00, do të mblidhet për disa çështje, mes të cilave edhe për buxhetin e RTK-së.
