Vërshimet në Gjilan – Komuna iu bën thirrje qytetarëve të mos lëvizin pa nevojë

Vërshimet në Gjilan – Komuna iu bën thirrje qytetarëve të mos lëvizin pa nevojë

Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim (DMSH) në komunën e Gjilanit iu bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar për shkak të vërshimeve që kanë ndodhur në disa zona si pasojë e reshjeve të shiut, raporton Gazeta “Enigma”.

“Si shkak i reshjeve të shiut me intensitet të lartë në Komunën e Gjilanit, në disa zona kanë shkaktuar probleme në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve”, thuhet në njoftimin e tyre.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Gjilanit, Bejtullah Osmani, ka kërkuar nga qytetarët të jenë të kujdesshëm, si shkak i rritjes së nivelit të ujit në disa zona. Ai kërkon nga qytetarët që mos të lëvizin pa nevojë. Derisa kërkon nga qytetarët që të evitojnë rrugët Malishevë-Gjilan dhe anasjelltas, nga Livoçi i Poshtëm dhe i Epërm për në qytet dhe anasjelltas dhe zona tjera ku ka rritje të nivelit të ujit rreth lumenjëve dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Ndërsa Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ekipet komunale sot kanë qenë angazhuar gjatë gjithë ditës që të iu dalin në ndihmë qytetarëve të cilët kanë qenë të prekur nga vërshimet.

“Sot, gjatë gjithë ditës, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të shmangur dëmet nga reshjet e shiut, të cilat vazhdojnë edhe në këto momente. Derisa në shumicën e lokacioneve situata është nën kontroll, ajo mbetet ende në kufijtë e rrezikut”, ka shkruar ai.

“I lusim të gjithë qytetarët e Gjilanit të tregojnë kujdes të shtuar. Për çdo rast emergjent, ju lutemi kontaktoni Qendrën 112“, ka theksuar Ibrahimi.

Related Articles