Edhe NISMA e bojkoton seancën e orës 11:00

Edhe NISMA e bojkoton seancën e orës 11:00

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, të thirrur nga Vetëvendosje, e cila ka në rend dite komisiona parlamentare, buxhetin dhe marrëveshje ndërkombëtare, pa pasur një qeveri legjitime të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Në njoftimin e saj, Nisma thekson: “NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!”

Partia shton se prej muajsh vendi ndodhet në krizë të qartë politike për shkak se nuk ekziston shumicë parlamentare, një realitet i konfirmuar publikisht dhe zyrtarisht nga të gjitha partitë gjatë takimeve me Presidenten e Republikës.

Sipas Nismas, proceset janë zvarritur, janë shpikur skenarë dhe janë krijuar iluzione për shumicë që nuk ekziston. “NISMA Socialdemokrate ka qenë forca më konstruktive në këtë periudhë të vështirë. Ne kemi kërkuar me kohë marrëveshje politike, koordinim ndërmjet subjekteve dhe përgjegjësi të përbashkët për të dalë nga kriza, pa kalkulime elektorale! Kemi ofruar gatishmëri të pakushtëzuar për çdo zgjidhje që i shërben vendit, por nuk kemi pranuar të bëhemi pjesë e skenareve që vetëm sa e thellojnë bllokadën,” thuhet në njoftim.

Nisma thekson gjithashtu se thirrja e seancës, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore.

“Këto tema nuk mund të trajtohen si dekor për fushatë dhe as si instrument i propagandës ditore,” thuhet më tej. Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate konfirmon se nuk do të marrë pjesë në seancën e improvizuar, duke theksuar përkushtimin e saj ndaj zgjidhjeve që i shërbejnë qytetarëve, rikthejnë normalitetin institucional dhe respektojnë rendin kushtetues.

“Në këtë moment vendi ka nevojë për qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo për lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale,” përfundon njoftimi i Nismas.

Related Articles