Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, në një deklaratë për media ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të marrë votat e nevojshme për të udhëhequr me ekzekutivin, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Paçarizi ka theksuar se partitë tjera parlamentare mund ta votojnë Konjufcën për kryeministër me të njëjtin arsyetim që e votuan Dimal Bashën për postin e kryetarit të Kuvendit.
“Nëse po flitet që tashmë e ka një votë më shumë dhe i duhen edhe tri vota mund të dalin deputetë që e votojnë me të njëjtin arsyetim që e votuan Dimal Bashën duke thënë po e fusim në kurth Vetëvendosjen, kjo është gabim”, tha Paçarizi në “Rubikon”.
Duke folur shkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ky i fundit uron Bedri Hamzën për postin e kryetarit të PDK-së, Paçarizi tha se është në funksion të fshirjes së vijave të kuqe ndaj PDK-së.“Urimi i Kurtit për Bedri Hamzën doli për me e ndërtu një lloj rrëfimi që PDK-ja të mos përjashtohet si partner, sepse është e vështirë që PDK-ja të përjashtohet, por tash gjoja se në PDK tashmë ka ndodhur një reformë, por cila është reforma? Sepse është ndërruar veç një person”, theksoi Paçarizi.
