Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë gjatë gjithë ditës, duke ndërhyrë në disa zona që kanë qenë më të dëmtuara nga vërshimet, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje Hyseni ka theksuar se ai bashkë me ekipet komunale ende janë në terren duke vëzhguar gjendjen.
Sot, gjatë gjithë ditës, ekipet komunale kanë qenë të angazhuara në terren me kapacitet të plotë, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë aty ku ka qenë e mundur për të minimizuar dëmet nga reshjet e shiut, të cilat vazhdojnë edhe në këto momente””, ka shkruar Hyseni në profilin e tij në Facebook.
“Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa zona në Komunën tonë po hasin vështirësi në lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve. Në këtë kontekst, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të lëvizin vetëm kur ka emergjencë dhe të përdorin rrugët e qytetit, duke shmangur rrugët qarkore dhe ato ku ka rritje të nivelit të ujit, përfshirë rrugën Malishevë–Gjilan, Livoç i Poshtëm dhe i Epërm, rrugën “Enver Miftari” dhe zonat pranë lumenjve”.
Hyseni i ftoi qytetarët të kenë kujdes të shtuar dhe për uregjencat e tyre të kontaktojnë Qendrën 112, duke shtuar se komuna mbetet e përkushtuar për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët.
“I lus të gjithë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe për çdo rast emergjent të kontaktojnë Qendrën 112. Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren”, tha Hyseni. /Gazeta Enigma/
