Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po punojnë fshehurazi për zhvillimin e një plani të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, thanë zyrtarë amerikanë dhe rusë për “Axios”.
Plani amerikan përmban 28 pika dhe është frymëzuar nga përpjekjet e administratës Trump për të arritur marrëveshje në Gaza. Një zyrtar i lartë rus u shpreh optimist për planin, ndërsa ende nuk është e qartë se si do të pozicionohet Ukraina dhe aleatët evropianë.
Sipas burimeve, 28 pikat e planit ndahen në katër kategori: paqja në Ukrainë, garancitë e sigurisë, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën.
Nuk është e qartë se si plani trajton çështje të diskutueshme si kontrolli territorial në Ukrainën lindore, ku forcat ruse po përparojnë ngadalë, por ende mbajnë dukshëm më pak territor sesa ka kërkuar Kremlini.
I dërguari i Trumpit, Steve Witkoff, po udhëheq hartimin e planit dhe e ka diskutuar atë në detaje me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, tha një zyrtar amerikan. Dmitriev, i cili drejton një fond sovran rus të pasurisë dhe është shumë i përfshirë në diplomacinë mbi Ukrainën, tha për “Axios” se ka kaluar tre ditë në diskutime intensive me Witkoffin dhe ekipin e Trumpit gjatë vizitës në Miami në tetor.
Dmitriev shprehu optimizëm për shanset e suksesit të marrëveshjes, duke theksuar se, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, qëndrimi rus po dëgjohet vërtet.
Witkoffi pritej të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Turqi të mërkurën, por e shtyu udhëtimin, thanë zyrtarë ukrainas dhe amerikanë. Ai diskutoi planin më parë me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Zelenskyt, Rustem Umerov, në një takim në Miami, konfirmoi një zyrtar ukrainas për “Axios”.
“Ne e dimë që amerikanët po punojnë për diçka”, tha zyrtari ukrainas.
