Komuna e Deçanit gjatë vitit 2020 me vendime të kryetarit për emërim kishte angazhuar 26 punonjës prej tyre 14 punonjës janë angazhuar në pozita të rregullta të shërbyesve civile si zyrtar të ndryshëm të administratës dhe 12 këshilltarë në zyrën e kryetarit.
Këto, por edhe shkelje tjera të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2020 për komunën e Deçanit.
Sipas auditorit kohëzgjatja dhe angazhimit të këtyre zyrtarëve ishte lidhur me mandatin e kryetarit pa bazë të qartë ligjore. Po ashtu me marrëveshje për shërbime të veçanta ishin angazhuar 24 punonjës, prej tyre 14 ishin angazhuar si mësimdhënës në drejtorin e arsimit për një periudhë një vjeçare si dhe 10 mjek në drejtorinë e shëndetësisë për një periudhë 6 mujore me mundësi vazhdimi, angazhimi i tyre kishte filluar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik. Angazhimet me vendime të kryetarit për shërbyes civil, këshilltar dhe MSHV ishin bërë pa zhvilluar ndonjë procedurë të paraparë ligjore.
Sipas zyrtarëve komunal angazhimi i stafit pa procedura ka ndodhur për shkak të gjendjes pandemike COVID-19.
“Emërimi i zyrtareve në pozita të rregullta për periudhë të caktuar dhe angazhimi me kontrata për një detyre specifike me afat më të gjatë sesa parashihet si dhe këshilltarëve pa procedura është në kundërshtim më legjislacionin përkatës dhe njëherësh rrit rrezikun e angazhimit të stafit jo kompetent për pozita të caktuara. Kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave të prokurimit për angazhimin e stafit për MSHV. Si dhe, të sigurojë se kjo formë e angazhimit aplikohet vetëm për punë specifike dhe vetëm atëherë kur kërkesat janë të arsyeshme nga njësit kërkuese” thuhet në rekomandimin e ZKA-së.