Protesta e transportuesve publikë dhe privatë në Komunën e Prishtinës, për shkak të mospagesës, edhe këtë të martë do të vazhdojë në një formë tjetër, raporton Gazeta “Enigma”.
Ndryshe nga e hëna kur pas pezullimit të të gjitha linjave punëtorët protestuan para objektit të Komunës dhe ndërtesës së Qeverisë, sot autobusët e “Trafikut Urban” do të vendosen pranë objektit të Komunës së Prishtinës.
Ilmi Gashi nga Sindikata e “Trafikut Urban”, ka thënë se protestën sot do ta vazhdojnë me autobusë. “Me autobusë do të defilojmë nëpër qytet dhe do të shkojmë pranë objektit të Komunës t’i ndalojmë autobusët, për sat ë kemi mundësi që të mos e ndalojmë lëvizjen e qytetarëve aty apo të makinave të tjera”, është shprehur Gashi në një intervistë për KTV.
Sipas Sindikatës së “Trafikut Urban” tash e dy muaj punëtorët e kësaj ndërmarrjeje nuk kanë marrë paga, ndërsa borxhi i tyre ndaj furnitorëve ka kaluar mbi 1.6 milionë euro.
Shkaku i vonesave në vendimmarrje nga kuvendet komunale, buxheti i Prishtinës, ai i Gjilanit dhe buxheti i Zubin-Potokut nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës të 2025-s. Kjo nuk u bë as pas miratimit të tyre nëpër komuna, meqë thuajse gjatë gjithë vitit Kosova ka funksionuar pa Kuvend, shkaku i ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve nacionale të shkurtit.
