Kamberi kritikon ashpër Serbinë për bllokimin e Fondit të Kosovës për Luginën e Preshevës

Kamberi kritikon ashpër Serbinë për bllokimin e Fondit të Kosovës për Luginën e Preshevës

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi ka kritikuar ashpër sot  Beogradin zyrtar për shkak të qasjes diskriminuese ndaj kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë edhe bllokimin e Fondit të Kosovës.

Kamberi ka kërkuar në seancë plenare nga kryeministri serb Gjuro Macut që të përgjigjet në një sërë pyetjesh, ndaj të cilave qeveria në Beograd vazhdon ta zgjedhë heshtjen e të cilat kanë të bëjnë me politikat e diskriminimit të shqiptarëve duke mos marrë parasysh asnjërën nga kërkesat e tyre legjitime.

“Pse nuk përgjigjeni!? Pse Qeveria e Serbisë po hesht karshi kërkesave tona legjitime? Pse, edhe pse e obliguar me ligj, nuk po u përgjigjet pyetjeve dhe iniciativave tona të njëpasnjëshme? Gjatë këtij viti, si individualisht, ashtu edhe bashkë me deputetët e SDA-së, kemi shtruar pyetje dhe kemi ngritur iniciativa që kanë për qëllim përmirësimin e pozitës së komuniteteve tona pakicë.”

Kamberi tha se Qeveria e Serbisë e ka për obligim t’u përgjigjet pyetjeve dhe iniciativave të deputetëve, por ajo vazhdon heshtjen dhe nuk jep përgjigje për krijimin e Fondit për Zhvillimin e Luginës së Preshevës, në vlerë 10 milionë euro, Programin e Veçantë për Policinë Multietnike në Luginë dhe Sanxhak.

“Heshtje edhe për iniciativën për ta pajisur Komunën e Preshevës me tabela të veta. Përveç që po hesht, Qeveria po i bllokon edhe ndihmat e dedikuara për Luginën. Prandaj, njëra prej pyetjeve të mia drejtuar Kryeministrit të Serbisë sot ishte: Pse Qeveria e Serbisë po e bllokon Fondin e Republikës së Kosovës të dedikuar shqiptarëve të Luginës?”

Kosova ka ndarë vitin e kaluar një fond prej 4 milionë eurosh për Luginën e Preshevës, për investime në fushat kyçe si arsimi, kultura, sporti dhe sektorë të tjerë që përmirësojnë jetesën e përditshme të shqiptarëve të Luginës që po përballen me diskriminimin shtetëror.

Në korrik 2025 Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi gjysmë milioni euro për mbështetje financiare në bashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës që përfaqëson ndër investimet më të rëndësishme për jetën kulturore të shqiptarëve në Luginë.

Në tetor 2024, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi akuzoi Serbinë se po përpiqet të ndalojë mbështetjen financiare të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Luginë.

Përfaqësues të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës thanë asokohe se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Serbi kishte kërkuar anulimin e thirrjes për subvencionimin e kulturave bujqësore nga fondet e Qeverisë së Kosovës.

Related Articles