Specialja: Paraqitja e provave në rastin kundër administrimit të drejtësisë s’do të zgjasë më shumë se 2 javë

Specialja: Paraqitja e provave në rastin kundër administrimit të drejtësisë s’do të zgjasë më shumë se 2 javë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, paraqitja e provave të tyre kryesore nuk mendon se do të zgjasë më shumë se dy javë.

Gjatë prezantimit të parashtrimeve, gjyqtari i vetëm Chrisoph Gosnell tha se Prokuroria ka propozuar që të gjithë dëshmitarët e saj të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit 2026. Veç kësaj, në sallë u tha se Prokuroria do të mbështetet në tre dëshmitarë.

“Prokuroria ka paraqitur çështjen e tyre pra, provat kryesore, mendojnë se nuk do të zgjasin më shumë se dy javë për të paraqitur gjithë provat e tyre dhe propozon që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit”, tha gjyqtari.

Gjyqtari tha se sa i takon dëshmitarit 7 kanë paraqitur sipas rregullores dokumentet që janë nxjerrë më herët dhe dëshminë e tij kryesore.

Prokurori Joshua Hafetz u pyet se a ka mundësi që dëshmia kryesore e dëshmitarit mund të ndikohet meteje nga rezultatet e hetimeve që janë vazhdim e sipër.

Prokurori tha se mund të ketë ndikim në atë duke shuar se është e vështirë të thuhet derisa t’i marrin rezultatet e hetimeve. Po ashtu, edhe ekipet e mbrojtjes njoftuan se do të kenë pyetje për këtë dëshmitar.

Ndërkohë që palët po diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Thaçi kërkoi që të flas. Ndërsa, avokatja e tij, Sophie Menegon tha se komenti i klientit të saj nuk lidhet shumë me mocionet e paraqitjes së provave.

Ndërsa, gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell tha se atij do i jepet  mundësia që të bëjë ndërhyrje por njëherë do të vazhdohet me agjendën.

Në sallën e gjyqit të pranishëm fizikisht janë vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

Ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Related Articles