Nga Kosova do të kërkohet përsëri që pa vonesa të nisë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të nisë të japë rezultate në obligimet nga marrëveshja e vitit 2023 duke çuar drejt marrëveshjeve dhe garancive specifike për një nivel të përshtatshëm të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë procedurat për njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.
Vendet anëtare janë duke diskutuar rreth konkluzave rreth zgjerimit të cilat do të miratohen në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në muajin dhjetor.
Sipas draftit të tekstit për të cilin po diskutohet, e të cilin e ka siguruar KOHA, BE-ja do të mirëpresë pakon e zgjerimit që më 4 nëntor i ka miratuar Komisioni Evropian dhe do të përshëndesë sidomos përparimin që kanë bërë disa vende kandidate, në rend të parë Mali i Zi dhe Shqipëria, por edhe Ukraina dhe Moldavia.
Sa i përket Kosovës, në bazë të këtij drafti pritet që edhe Këshilli të shprehë mendimin se për shkak të ngërçit politik Kosova nuk ka arritur të bëjë progresin e duhur.
Këshilli do të nënvizojë se ka pasur progres të limituar në procesin e reformave dhe bën ftesë që në Kosovë të krijohet një bashkëpunim ndërpartiak në mënyrë që të përshpejtohet procesi i reformave, sidomos në administratën publike dhe sundimin e ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe në lirinë e shprehjes ku nuk ka pasur progres.
Këshilli do të shprehë po ashtu keqardhje për bllokadën politike në Kosovë pas zgjedhjeve të shkurtit dhe pritjet për një proces mirë të administruar dhe inkluziv zgjedhor të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sa u përket zgjedhjeve të fundit lokale, Këshilli do të përshëndesë zhvillimin e profesional dhe transparent të tyre. Do të shprehë pritjet që transferimi i pushtetit lokal në katër komunat në veri të bëhet në mënyrë të rregullt, në bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe atij qendror, sipas kornizës ligjore të Kosovës.
Transferimi i pushtetit lokal në veri është edhe një prej kushteve për heqjen e mëtejme të masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Këshilli merr në dijeni heqjen e mëtejme të masave pas transformimit të rregullt të pushtetit lokal në veri të Kosovës dhe deeskalimin e qëndrueshëm”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave.
“Këshilli përsërit pritjet për re-integrimin e serbëve të Kosovës, duke nisur me pjesëmarrjen e tyre inkluzive në institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke pasuar me re-integrimin e pakusht të personelit të kualifikuar gjyqësor dhe policor në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe respektin e plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet më tej.
Duke përsëritur se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë përmbushja e obligimeve nga procesi i normalizimit të raporteve është kusht për progresin e tyre në rrugën drejt BE-së dhe se të dyja do të humbin në rast se nuk përmbushen këto obligime.
Këshilli pritet të shprehë keqardhje se nuk ka pasur përmbushje të disa obligimeve nga të dyja palët.
Nga Kosova do të kërkohet përsëri që pa vonesa të nis themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të nisë të japë rezultate në obligimet nga marrëveshja e vitit 2023 duke çuar drejt marrëveshjeve dhe garancive specifike për një nivel të përshtatshëm të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.
Ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë procedurat për njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.
Këshilli do të shprehë po ashtu “shqetësim të thellë” për dështimin e Serbisë që të ndërmarrë masa ndaj kryesve të veprave të dhunshme në veri të Kosovës në vitin 2023, si sulmet ndaj KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.
“Këshilli shpreh shqetësim të thellë që Serbia akoma nuk i ka përmbushur pritjet për llogaridhënie të plotë dhe shpreh keqardhje të thellë për veprimet e pamjaftueshme në këtë drejtim, përfshirë edhe shkeljen e procedurave nga dialogu rreth asistencës së ndërsjellë”, thuhet në këtë dokument.
