Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur të shtunën në mbrëmje dhe ka miratuar ndryshimin e datës për mbajtjen e shortit që përcakton renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se, sipas vendimit të ri, ceremonia e tërheqjes së shortit, e cila fillimisht ishte planifikuar për datën 8 dhjetor, do të mbahet një ditë më herët, pra të dielën, më 7 dhjetor 2025.
“Në mbledhjen e sotme, KQZ mori vendim për ndryshimin e afateve kohore të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të ri, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, e parashikuar të mbahet më 8 dhjetor, do të mbahet më 7 dhjetor 2025”, ka deklaruar Elezi.
