Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se përmes platformës elektronike, kanë pranuar mbi 84 mijë aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës. Prej tyre janë aprovuar mbi 76 mijë derisa janë refuzuar mbi 7 mijë.
“Duke u mbështetur në të dhëna jo-përfundimtare, gjatë periudhës 11-ditore të regjistrimit (26 nëntor – 6 dhjetor 2025, ora 23:59) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org janë pranuar mbi 84,712 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar 76,876, ndërkaq janë refuzuar 7,580 dhe janë anuluar 256”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, pjesa më e madhe janë regjistruar për të votuar përmes postës, 55,016 prej tyre për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe 2,724 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
19,136 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
