Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, tha se “Peja voton numrin 116 dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE! më 28 dhjetor”.
Pas tubimit atje, Kurti tha se “vëmendja jonë ndaj qytetit dhe fshatrave nuk ka munguar në këtë mandat”.
“Po bëhet Qendra Nacionale e Xhudos, Stadiumi, ngrohja qendrore, rruga e Dukagjinit e cila lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin me Pejën dhe Istogun, rruga Pejë–Kuçishtë, krahas rehabilitimit dhe modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale”, shkroi Kurti.
Ai premtoi se në mandatin e ardhshëm “do të zgjidhim problemet me kanalizimet e trajtimet e ujërave; hapim 5 çerdhe në lokacionet Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë; do ta mbështesim Inkubatorin e Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”; forcojmë lidhjet mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat; e ICT-ja, turizmi dhe shërbimet digjitale bëhen sektorë me prioritet”.
“Investimet në akademi dhe teknologji do ta pozicionojnë Pejën si epiqendër të inovacionit në Dukagjin”, u shpreh në fund Kurti.
