Zelensky: Bisedimet për zgjidhjen e luftës janë “shumë afër një rezultati real”

Zelensky: Bisedimet për zgjidhjen e luftës janë “shumë afër një rezultati real”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se bisedimet e zhvilluara me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane me qëllim të përfundimit të luftës gati 4-vjeçare me Rusinë janë “shumë afër një rezultati real”.

Negociatorët ukrainas, të udhëhequr nga zyrtari i lartë, Rustem Umerov, bashkë me përfaqësues nga Evropa, zhvilluan një varg takimesh me emisarë amerikanë, përfshirë bisedimet e zhvilluara ditëve të fundit në Florida, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Negociatori rus, Kirill Dmitriev, emisar për investime i presidentit Vladimir Putin, gjithashtu ka qenë duke zhvilluar bisedime të ndara me zyrtarë amerikanë në Florida.

Zyrtarët në Ukrainë e Rusi thonë se ekipet e tyre po ktheheshin në vendet e veta të hënën për të raportuar rreth rezultatit të diskutimeve.

“E tëra duket goxha sikur ia vlen… dhe këtu është me rëndësi që kjo është puna e të dyja palëve (Ukrainës) dhe Shteteve të Bashkuara. Kjo lë të kuptohet se ne jemi shumë afër një rezultati real” – tha Zelensky në një tubim kushtuar diplomatëve ukrianas.

Zelensky tha se negociatorët kanë qenë duke punuar në një plan 20-pikësh, i çuar përpara nga emisarët amerikanë dhe i cili ka qenë në diskutime me javë, pasi një draft fillestar ishte kritikuar nga ukrainasit dhe evropianët, duke u cilësuar si shumë favorizues për Rusinë.

Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishin garancitë e sigurisë që Ukraina i ka kërkuar për t’u mbrojtur nga ndonjë veprim ushtarak rus në të ardhmen pas përfundimit të kësaj lufte, si dhe një plan për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës.

“Blloku bazë i të gjitha dokumenteve është i gatshëm. Është bazë. Janë disa çështje për të cilat ne nuk jemi të përgatitur dhe unë jam i sigurt se ka çështje për të cilat rusët nuk janë të përgatitur” – tha presidenti ukrainas.

Duke folur më vonë në adresimin e tij të zakonshëm të mbrëmjes, Zelensky tha se çështje kyçe është që të përcaktohet nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje që “të marrin një përgjigje nga Rusia, gatishmëri të vërtetë nga ana e atij vendi për t’u përqendruar në diçka tjetër pos agresionit”.

Related Articles