Kosovën e ndajnë vetëm pak ditë deri të procesi parakohshëm zgjedhor i së dielës së 28 dhjetorit, derisa shpejt pas mbylljes së vendvotimeve pritet që publikohen rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTKlive se publikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të fillojë para orës 20:00 të dielën.
“Rezultatet do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tregoi ai.
Tutje, Elezi tregoj procedurat e numërimit deri te publikimi i rezultateve preliminare dhe rezultateve të kandidateve.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara (09:00; 11:00; 13:00, 15:00; 17:00 dhe 19:00) do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo qendër votimi dhe vendvotim”, tregoi tutje Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së tha se softueri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe për procesin që do të zhvillohet në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është zhvilluar, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
