Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përfaqësuesit serbë në Kosovë duhet të fitojnë vendet e tyre në institucione dhe të përfaqësojnë interesat e popullit serb, e jo, siç tha ai, interesat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një deklarim publik, Vuçiq ka bërë thirrje që serbët të përfaqësohen përmes Listës Serbe, duke shprehur mbështetje të hapur për këtë subjekt politik dhe pritjen që ai të fitojë numrin më të madh të mandateve të rezervuara për komunitetin serb. Sipas tij, përfaqësuesit e zgjedhur duhet të veprojnë në interes të popullit serb në Kosovë.
Vuçiq ka përmendur edhe rastin e një kandidati nga Shtërpca, Nikoliçeviq, i cili, sipas tij, është larguar nga lista që ai e quajti “lista e Rashiqit”, duke theksuar se ky veprim përbën një mesazh pozitiv.
Ai tha se e mbështet sinqerisht këtë vendim dhe shpreson në një fitore të rëndësishme për Listën Serbe.
Duke folur për zhvillimet e tjera politike, presidenti serb ka deklaruar se nuk është i njohur me sondazhet e fundit nga Kosova, duke shtuar se pret që ditët në vijim të ketë më shumë kohë për t’u marrë me këto çështje.
