Veliu i kërkon publikisht llogari Abdixhikut për humbjet

Veliu i kërkon publikisht llogari Abdixhikut për humbjet

Ish-nënkryetari i Podujevës, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pasi LDK-ja doli e treta në zgjedhjet parlamentare të mbajtura dje në Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”

Veliu përmes një postimi në Facebook ka kritikuar kreun e partisë, Lumir Abdixhikut, të cilit i kërkoi publikisht llogari për humbjet.

“Humbjet radhazi nuk janë rastësi. Ato janë verdikt i qartë politik. Mosreflektimi pas tyre nuk është më gabim – është refuzim i përgjegjësisë. Një parti që kërkon besimin e qytetarëve nuk mund të sillet sikur humbjet nuk kanë autor. Mbyllja ndaj kritikës, mungesa e analizës dhe kapja e vendimmarrjes e kanë dëmtuar rëndë partinë dhe e kanë larguar shumë nga misioni i saj. Kërkoj publikisht dhe pa ekuivoke: llogaridhënie politike për humbjet, transparencë të plotë mbi vendimmarrjen, e cila mungon kohë të gjatë në LDK”, tha Veliu.

Ai po ashtu e radhiti si kërkesë edhe hapjen e menjëhershme të një procesi demokratik të brendshëm, me garë reale në të gjitha nivelet.

“Askush nuk është mbi partinë. Askush nuk ka mandat të përhershëm nga humbja. Nëse nuk ka reflektim dhe ndryshim, ky drejtim nuk mund të mbrohet më dhe nuk i shërben të ardhmes së Lidhjes Demokratike të Kosovës.” – shkroi Veliu.

Kujtojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës mori 119,083 vota apo 13,57%.

Related Articles