Fitorja bindëse e LVV-së, Baraliu: Populli vlerësoi se opozita ishte bllokuese e formimit të institucioneve

Fitorja bindëse e LVV-së, Baraliu: Populli vlerësoi se opozita ishte bllokuese e formimit të institucioneve

KQZ ka bërë procesimin e 100% të venvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Nga kjo del se LVV renditet e para me 49.34%.

PDK e dyta me 20.98%. LDK e treta me 13.57%.

Ndërkohë, partia e katërt që ka kaluar pragun, AAK, ka 5.66%.

Vlen të theksohet se ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë.

Por, si arriti LVV që sërish ta marrë një fitore si ajo e 14 shkurtit të vitit 2021?

Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se LVV e vazhdoi edhe njëherë rastin, për të cilin disa doktrina politike, madje edhe themeluesit e këtij sistemi zgjedhor dhe të Kushtetutës, thoshin se “nuk ka mundësi që një parti politike apo një koalicion parazgjedhor të arrijë rreth 50 për qind”.

Për këtë sukses të LVV-së së Albin Kurtit, profesor Baraliu thotë se janë dy faktorë, për të cilët përgjegjëse është opozita.

“Në radhë të parë, gjatë gjithë këtyre katër apo pesë viteve, roli, misionet dhe angazhimet e opozitës ishin shumë fluide, të zbehta dhe jo bindëse, pavarësisht përpjekjeve për ta stigmatizuar qeverisjen e Vetëvendosjes. Nuk arritën ta bindin opinionin publik. Faktori tjetër ishte sjellja e kësaj opozite. Ishte paraliza politike dhe veprimet e padenja, bllokuese e të dëmshme, të pariparueshme për pikëpamjet e votuesve, të cilët tashmë janë shumë më të vetëdijesuar sesa që duket kjo klasë politike, veçanërisht ajo opozitare, e cila degradoi në këto zgjedhje”, tha Baraliu në një prononcim për Gazetën Enigma.

Baraliu thotë se populli vlerësoi se opozita ishte bllokuese dhe penguese e formimit të institucioneve dhe se, pa u menduar për pasojat që mund t’i shkaktonte, për më shumë se një vit shtyu formimin e tyre.

Ai po ashtu tha se opozita nuk tregoi unifikim mes vete për ta bërë një Qeveri, e cila do të mund të formohej, pasi kishte shumicën.

“Por nuk ishin aspak unikë dhe aspak të vendosur; madje, siç duket, ka indikacione se kishin frikë ta bënin një qeverisje, pikërisht për shkak të veprimeve dhe detyrave që i prisnin”, deklaroi Baraliu.

A do ta votojnë partitë opozitare Vjosa Osmanin?

Baraliu thotë se opozita nuk mund të ketë arsye për ta dështuar zgjedhjen e Presidentit, pasi nuk ka argumente për të dalë sërish në zgjedhje.

“Partitë opozitare i kanë humbur të gjitha argumentet para qytetarëve për të dalë edhe njëherë dhe për ta provuar veten para popullit.

Ato do të duhej vetëm të riorganizohen, të riformohen në kuptimin pozitiv dhe t’i kryejnë detyrat e opozitës në interes të vendit”, përfundoi Baraliu.

Related Articles