PZAP gjobit VV-në për dy raste, për praninë e fëmijëve në fushatë dhe shkeljen e heshtjes zgjedhore

PZAP gjobit VV-në për dy raste, për praninë e fëmijëve në fushatë dhe shkeljen e heshtjes zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka gjobitur me 5 mijë e 500 euro, në dy raste të ndara Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje gjatë ditës së zgjedhjeve, të dielën më 28 dhjetor.

PZAP e ka pranuar pjesërisht ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë ditës së votimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Në vendimin e marrë më 30 dhjetor 2025, PZAP ka vendosur që LVV-ja të dënohet me gjobë prej 4,500 euro, për shkak të përdorimit të fëmijëve në fushatë zgjedhore dhe thyerjes së heshtjes zgjedhore në disa raste.

Sipas PZAP-it, ankesa e LDK-së është vlerësuar si e bazuar për:

Rastin 1, ku është konstatuar prezenca dhe përfshirja e fëmijëve nën moshën 15-vjeçare gjatë tubimit përmbyllës të LVV-së;

Rastet 3, 5, 6 dhe 9, që lidhen me thyerjen e heshtjes zgjedhore në ditën e votimit, përmes elementeve zgjedhore pranë qendrave të votimit dhe postimeve në rrjete sociale nga mbështetës të LVV-së me thirrje për votim.

Paneli ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore, pasi janë kryer gjatë heshtjes zgjedhore me qëllim ndikimin te votuesit.

Ndërkaq, PZAP ka refuzuar si të pabazuara pjesë të tjera të ankesës së LDK-së, përfshirë pretendimet për shfrytëzim të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushatë, si dhe disa raste të tjera të dyshuara për thyerje të heshtjes zgjedhore, duke vlerësuar se për këto raste nuk janë ofruar prova të qarta dhe bindëse.

Në arsyetimin e vendimit, PZAP ka theksuar se lartësia e gjobës është caktuar duke marrë parasysh natyrën e shkeljeve, peshën e tyre dhe ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe praktikën e mëhershme për raste të ngjashme.

Related Articles