Disa senatorë amerikanë skeptikë rreth opsioneve ushtarake për Iranin

Disa senatorë amerikanë skeptikë rreth opsioneve ushtarake për Iranin

Disa ligjvënës amerikanë në të dyja partitë kryesore të dielën vunë në pikëpyetje nëse veprimi ushtarak kundër Iranit është qasja më e mirë për Shtetet e Bashkuara, ndërsa autoritetet iraniane përballen me trazira në rritje, ka raportuar Reuters,

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ditët e fundit e ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes amerikane në Iran, ku protestat më të mëdha antiqeveritare në vite kanë bërë që Garda Revolucionare t’i fajësojë terroristët për trazirat dhe të zotohet të mbrojë sistemin qeverisës.

Por të paktën dy senatorë amerikanë shprehën kujdes gjatë intervistave në programet e mëngjesit të së dielës në rrjetet televizive.

“Nuk e di nëse bombardimi i Iranit do të ketë efektin e synuar”, tha senatori republikan Rand Paul në emisionin “This Week” të ABC News.

Në vend që të minojë regjimin, një sulm ushtarak ndaj Iranit mund të bashkojë popullin kundër një armiku të jashtëm, thanë Paul dhe senatori demokrat Mark Warner.

Warner, duke u shfaqur në “Fox News Sunday”, paralajmëroi se një sulm ushtarak kundër Iranit mund të rrezikojë bashkimin e iranianëve kundër Shteteve të Bashkuara “në një mënyrë që regjimi nuk ka qenë në gjendje ta bëjë”. Historia tregon rreziqet e ndërhyrjes së SHBA-së, tha Warner, i cili argumentoi se përmbysja e qeverisë së Iranit në vitin 1953, e mbështetur nga SHBA-të, vuri në lëvizje një zinxhir ngjarjesh që gradualisht çuan në ngritjen e regjimit islamik të vendit në fund të viteve 1970.

Related Articles