Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të shtunën fajësoi presidentin amerikan Donald Trump për javë të tëra demonstratash që, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, kanë çuar në më shumë se 3000 vdekje.
“Ne e konsiderojmë presidentin e SHBA-së kriminel për viktimat, dëmet dhe shpifjet që i shkaktoi kombit iranian”, tha Khamenei, sipas mediave shtetërore iraniane.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të vështirësive ekonomike dhe u shndërruan në demonstrata të gjera që kërkonin fundin e sundimit klerikal në Republikën Islamike.
Trumpi ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë, duke përfshirë edhe kërcënimin me “veprime shumë të forta” nëse Irani ekzekuton protestuesit, transmeton Klankosova.tv.
Por të premten, në një postim në rrjetet sociale, ai falënderoi udhëheqësit e Teheranit, duke thënë se ata kishin anuluar varjet masive. Irani tha se “nuk kishte plan për të varur njerëz”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Në komentet që dukeshin si përgjigje ndaj Trumpit, Khamenei tha: “Ne nuk do ta tërheqim vendin në luftë, por nuk do t’i lëmë kriminelët vendas ose ndërkombëtarë të mbeten të pandëshkuar”, raportuan mediat shtetërore.
