Vazhdon bllokada e transportuesve rajonalë në kufijtë me BE-në

Vazhdon bllokada e transportuesve rajonalë në kufijtë me BE-në

Shoferët e kompanive transportuese nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina po e vazhdojnë edhe më 27 janar bllokadën e tyre nëpër pikat kufitare për trafikun e mallrave.

Pas bllokimit të daljeve një ditë më parë, tani transportuesit i kanë bllokuar edhe hyrjet nëpër pikat kufitare të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Shoferët janë duke bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen. Ata thonë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian.

Ata po kërkojnë që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve.

Kompanitë transportuese kanë paralajmëruar që bllokadat do të zgjasin për shtatë ditë, përveç nëse gjendet një zgjidhje.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, ka thënë më 26 janar se institucionet evropiane po punojnë në gjetjen e mundësive që t’ua lejojnë punëtorëve të disa profesioneve, përfshirë shoferët e kamionëve, që të qëndrojnë në Zonën Schengen më gjatë sesa e përcaktojnë rregullat aktuale.

“Ne jemi të vetëdijshëm se një numër i punëtorëve prej shteteve të treta, që nuk janë punëtorë ndërkufitarë, mund të kenë nevojë të qëndrojnë në Zonën Schengen për më shumë se 90 ditë brenda periudhës 180-ditore. Kjo përfshin profesionet me mobilitet të lartë, sikurse shoferët e kamionëve, por edhe atletët dhe artistët”, ka thënë mes tjerash Lammert.

Sipas tij, Bashkimi Evropian është i vetëdijshëm për shqetësimet e shprehura nga operatorët e transportit në rajon dhe është duke vëzhguar nga afër situatën, si dhe është në kontakt me partnerë të Ballkanit Perëndimor.

Related Articles