Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur të martën se rindërtimi i Rripit të Gazës nuk do të ndodhë para se lëvizja militante Hamas të çarmatoset dhe të shkatërrohen tunelet e saj të mbetura.
Deklaratat ai i bëri gjatë një konference për shtyp, një ditë pas gjetjes së mbetjeve të pengut të fundit të mbetur në Gazë. Në këtë paraqitje publike, Netanyahu mohoi gjithashtu sugjerimet se Izraeli do të lejonte krijimin e një shteti palestinez në Gazë, duke thënë: “Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë”.
Kryeministri izraelit përsëriti edhe qëndrimin e tij se ushtarët turq dhe ata katarianë nuk duhet të jenë pjesë e asnjë force ndërkombëtare sigurie në Gazë.
Gjatë konferencës për shtyp, Netanyahu deklaroi po ashtu se Izraeli do ta menaxhonte pikën kufitare Rafah mes Gazës dhe Egjiptit. Ai kujtoi se Izraeli kishte paralajmëruar se Rafahu fillimisht do të hapej vetëm për lëvizjen e njerëzve, ndërsa mallrat do të vazhdojnë të hyjnë në Gazë përmes kalimeve nga Izraeli.
Megjithatë, autoritetet izraelite nuk kanë dhënë detaje se kush do të kualifikohet për të kaluar përmes kësaj pike kufitare, ndërsa mbetet e paqartë edhe se kur ndihma humanitare nga Egjipti do të lejohet të hyjë në enklavën palestineze.
Në fund, Netanyahu lëshoi një tjetër paralajmërim ndaj Teheranit, duke thënë se qeveria e tij do të përgjigjej “me një forcë që Irani nuk e ka parë ende” nëse vendos të sulmojë Izraelin.
