Disa video eksplicite të Mirjana Pajkoviqit, atëkohë sekretare e Ministrisë së të drejtave të njeriut dhe minoriteteve në Mal të Zi, u publikuan në fillim të vitit, duke nxitur një seri ngjarjesh që kanë tronditur skenën politike në këtë shtet. Skandali çoi në dorëheqje, akuza e përfshirje të autoriteteve.
Pajkoviq u dorëhoq nga posti i saj, siç bëri edhe Dejan Vukshiq, ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANS) dhe këshilltar i sigurisë i presidentit të Malit të Zi.
Në videot e publikuara, Pajkoviq shfaqet në momente intime me një burrë, që supozohet të jetë Vukshiq. Po ashtu në mediat online janë publikuar fotografi eksplicite të saj.
Funksionet publike dhe prania në media sociale
Pajkoviq, pos rolit institucional, ishte tejet e pranishme dhe me emër në rrjete sociale, kryesisht në Instagram, ku ndante jetën private e profesionale, dhe jepte komente personale mbi figura publike.
Në vazhdimësi ajo ka bërë thirrje se gratë në politikë shpesh përballen me presion “për të qenë të padukshme” e se pamja e tyre interpretohet padrejtësisht si mungesë e seriozitetit. Ajo besonte se paraqitja publike është pjesë e përgjegjësisë zyrtare, ka shkruar Slobodna.
Deklaratat e saj vazhdimisht merrnin vëmendje publike. Ajo thoshte se si njeri e paraqet veten publikisht është reflektim i sjelljes së tyre ndaj punës dhe institucionit që e përfaqësojnë.
“Paraqitja jonë është lloj shfaqje. Nëse dikush nuk kujdeset për veten dhe paraqitjen e tij publike, pyetja që shtrohet është se si ata i trajtojnë të tjerët”, pati thënë ajo në një rast.
Videoja virale
Pas skandalit, asaj iu rikthye një video e 2022-tës. Në maj të atij viti, kur ajo ishte pyetur për udhëheqësin e preferuar të Malit të Zi, duke hequr syzat dhe duke iu drejtuar kamerës, kishte thënë Dejan Vukshiq.
Atë kohë, Vukshiq nuk ishte gjerësisht i njohur për publikun. Më pas ai u bë drejtor i ANS-së dhe më vonë edhe këshilltar i presidentit. Ndaj tij, Pajkoviq bëri tri padi në fund të vitit 2025.
Kërcënime e shantazhe
Ajo ishte ankuar në Polici për shpërndarje të paautorizuar të materialeve intime, kërcënime e shantazh, duke thënë se i është ekspozuar për kohë të gjatë presionit. E ka përshkruar publikimin e videove si formë të dhunës dhe shkeljes serioze të të drejtave të njeriut.
Si pjesë të dokumenteve, ajo pati dorëzuar edhe një audioincizim në të cilin thotë se është zëri i Vukshiqit duke e kërcënuar se “për të më nuk ka jetë në Mal të Zi”. Po ashtu ajo ka thënë se ka marrë kërcënime se mund t’i shkatërrohet karriera.
Mohimi i Vukshiqit
Dejan Vukshiq i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai pretendon se nuk ka lidhje me rastin apo se i posedon ato përmbajtje. Ai po ashtu ka thënë se më 2024, Pajkoviq ia kishte marrë telefonin, e që sipas tij, më vonë u keqpërdor.
Vukshiq ka thënë se në mars të vitit të kaluar kishte marrë mesazhe nga një numër i panjohur me një incizim të zërit të tij dhe kërcënim e shantazh nëse “do ta rishpallte kandidaturën për anëtar të Gjykatës Kushtetuese”. Sipas tij, kërcënimi ishte se audioja do t’i bëhej publike po që se nuk ndjek “instruksionet”
Në një intervistë për “Dana”, Pajkoviq ka thënë se ka qenë cak i dhunës ekstreme nga njerëz të fuqishëm. Ajo ka thënë se fillimisht nuk kishte reaguar për shkak të kërcënimeve nëse nuk përmbush kërkesat. Ajo ka thënë se në vazhdimësi e ka kontaktuar edhe presidentin Jakov Milatoviq, duke i dërguar mesazhe e videoincizime me kërcënime nga këshilltari i tij. Megjithatë, ajo ka shtuar se s’ka marrë përgjigje nga presidenti. Sipas saj, ajo u këshillua të heshtte dhe se reagimet institucionale nisën vetëm pas raportimeve në media.
Nisja e procedurave
Agjencia Kombëtare e Sigurisë ka thënë se nuk ka të bëjë asgjë me incizimet private që janë publikuar.
Avokati i Popullit ndërkaq ka theksuar se asnjë personi nuk duhet mohuar e drejta për privatësi, dinjitet e mbrojtje nga dhuna, duke bërë thirrje që incizime e video të mos bëhen publike.
Prokuroria Shtetërore në Podgoricë ka iniciuar dy raste bazuar në kallëzimet penale të paraqitura nga Pajkoviq. Procedurat janë në fazën e hetimev
