Dy persona të maskuar, njëri nga të cilët me armë të ftohtë-thikë, kanë grabitur një këmbimore të parave në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 15:45. Sipas tij, dy persona të dyshuar, të maskuar, kanë hyrë në këmbimoren e parave, ku njëri prej tyre dyshohet se kishte thikë.
“Nën kërcënimin e armës së ftohtë, të dyshuarit kanë kërkuar para nga punëtorja e këmbimores. Ajo ua ka dorëzuar paratë, ndërsa shuma e saktë ende nuk dihet. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes para se të arrinte policia”, ka deklaruar Gashi.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
