Lidhja e Bizneseve: Protestat rajonale po pengojnë transportin ndërkombëtar

Lidhja e Bizneseve: Protestat rajonale po pengojnë transportin ndërkombëtar

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me çrregullimet në transportin ndërkombëtar rrugor, të shkaktuara nga protestat e disa kompanive transportuese në rajon.

Këto ndërprerje, siç thuhet, po krijojnë pasoja serioze për bizneset kosovare, duke penguar eksportin dhe importin e mallrave, duke rritur koston operative dhe duke rrezikuar stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit.

“Situata tashmë ka sjellë vonesa të konsiderueshme, humbje financiare, ndërprerje të kontratave dhe kërcënim për humbjen e klientëve ndërkombëtarë, duke dëmtuar imazhin dhe besueshmërinë e biznesit kosovar. Ndërprerjet e zgjatura nuk janë thjesht shqetësim operativ, por një kërcënim real për klimën e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës i ka bërë  thirrje urgjente institucioneve të Bashkimit Evropian dhe palëve të angazhuara në transportin ndërkombëtar që të ndërhyjnë menjëherë dhe të sigurojnë funksionimin normal të lëvizjes së mallrave, duke garantuar zgjidhje afatgjata dhe të parashikueshme për zinxhirët rajonalë dhe evropianë të furnizimit.

“Ne theksojmë se lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor janë të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, për sigurimin e punësimit, dhe për avancimin e integrimit të Kosovës në tregun unik të Bashkimit Evropian. Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e angazhuar për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe për të kontribuar në dialogun institucional dhe ndërkombëtar, në funksion të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale”, shkruhet në njoftim.

Related Articles