Ish-kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një takim me kryeparlamentarin e Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, gjatë qëndrimit në Uashington.
Në postimin e tij në Facebook, deputeti i zgjedhur i PDK- së ka theksuar rëndësinë e njohjes dhe fuqizimit të lidhjeve diplomatike, duke i cilësuar ato si prioritet kryesor për popujt dhe shtetet e Kosovës dhe Ukrainës.
” Njohja dhe fuqizimi i lidhjeve diplomatike qëndrojnë prioritet kryesor për popujt dhe shtetet tona”, ka shkruar Hoxhaj, derisa ka publikuar fotografinë me të.
Enver Hoxhaj po qëndron në Uashington D.C që disa ditë ku ka takuar kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të tjerë evropianë që kanë marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit në SHBA. Hoxhaj, ditë më parë pati edhe fjalim në Kongresin Amerikan, ku kërkoi anëtarësimin e Kosovës në NATO.
