Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, po përballet me kritika në rritje lidhur me zgjerimin e kabinetit qeveritar dhe mënyrën e përzgjedhjes së ministrave. Sipas ekspertëve politikë, rritja e numrit të ministrive dhe emërimet e kontestuara nuk garantojnë efikasitet institucional dhe bien ndesh me premtimet e dhëna para zgjedhjeve nga përfaqësuesit e LVV-së, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ekspertët kritikojnë rritjen e numrit të ministrive në Qeverinë Kurti, duke vënë në dukje se kjo nuk garanton automatikisht efikasitet apo organizim më të mirë. Për më tepër, sipas tyte përzgjedhja e ministrave duhet të bazohet mbi rezultate, ekspertizë dhe integritet, dhe jo mbi interesat partiake apo kërkesat e koalicionit.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, potencoi për “Enigmën” se rritja e numrit të ministrive nuk do të thotë as punë më e mirë e as organizim më të mirë dhe se nuk do të ketë asnjë efekt real në përmirësimin e qeverisjes.
“Emërimet problematike”
Ai theksoi se do të duhej të kishte më pak ministra nga qeverisja e kaluar dhe më shumë ministra të rinj, të dëshmuar me vlera, rezultate, dije dhe përvojë. Sipas tij, nuk është e drejtë që ministritë të drejtohen nga persona anonimë, militantë partiakë apo emërime që bëhen vetëm për të përmbushur kërkesat e koalicionit.
Sipas Baraliut, një nga gabimet e qeverisjes së kaluar të Kurtit ishte fakti se shumë prej ministrave të emëruar nuk ishin të dëshmuar në fushat përkatëse dhe nuk dhanë rezultate të mjaftueshme, por megjithatë u riemëruan.
“Ndërrimi i ministrit të Kulturës në një dikaster krejt tjetër, siç është Arsimi, edhe pse i rëndësishëm, mund të sjellë më shumë ndërprerje të aktiviteteve sesa përmirësim”, deklaroi ai.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, tutje tha për “Enigmën” se për Kurtin dhe qeverinë e tij, ministrat nën hetime ose me aktakuza janë kthyer në “zakon”.
“Kjo ka ndodhur edhe në Qeverinë Kurti 2, por asnjëherë Kurti nuk ka marrë hapa për lirimin e tyre nga detyra, të paktën deri në përfundimin e procesit”, deklaroi Muhaxheri.
Sipas tij, riemërimi i tyre nuk duhet të jetë çudi, pasi është pjesë e mendësisë së kësaj qeverisjeje. “Kurti po e keqpërdor mbështetjen popullore duke emëruar ministra që nuk i plotësojnë kushtet”, përfundoi ai.
