Sot përmbyllen deklaratat e mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot përmbyllen deklaratat e mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot pritet të vazhdoj seanca e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, raporton Gazeta Enigma.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka sot edhe një orë e gjysmë kohë për të përfunduar deklaratën e saj përmbyllëse, të cilën e ka nisur të premten.

Aiden Ellis, i cili përfaqëson Jakup Krasniqin, ka thënë të premten se, sipas provave, nuk është vërtetuar që klienti i tij të ketë pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat.

Sipas mbrojtjes, në dosjen e Prokurorisë thuhet se Krasniqi ka pasur përgjegjësi parësore për komunikatat dhe se ishte hartues e redaktor i tyre.

“Nuk është vërtetuar asnjëherë që z. Krasniqi e ka pasur përgjegjësinë kryesore për komunikatat. Unë do të përfundoj duke thënë se paragrafi 554 i dosjes së Prokurorisë është një shembull i qartë i mënyrave se si ka dështuar Prokuroria”, tha Ellis.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se Jakup Krasniqi duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.

Ajo theksoi në fjalën e saj se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë prej 1.926 ditësh.

“Parashtrojmë se ekziston vetëm një opsion: që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit, do t’i bëjmë thirrje gjykatës së nderuar që ta shpallë të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejojë këtë zotëri 75-vjeçar të kthehet pranë familjes së tij dhe t’i kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen”, tha ajo.

Avokatja Alagendra deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar mbështetet në spekulime dhe pretendime të pambështetura në akuzat ndaj Krasniqit. Sipas saj, nuk ka asnjë dëshmitar që pretendon se Krasniqi ka keqtrajtuar ndokënd.

Related Articles