Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, të martën në 18-vjetorin e Pavarësisë ka uruar qytetarët, raporton Gazeta Enigma.
Haxhiu, pas ngritjes së flamurit në një ceremoni, tha se sot kujtojnë me nderim të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësi.
“Sot shënojmë 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, mbase një republikë e re, por jo edhe aq e re për të kuptuar se liria kërkon angazhim të përditshëm. Sot, por edhe çdo ditë tjetër, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për pavarësinë që ne sot e gëzojmë. Pra, dëshmorët e kombit dhe martirët. Por po ashtu nderojmë edhe figurat e larta që kontribuan në rrethana dhe periudha të ndryshme për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Pavarësinë e nderojmë nëse punojmë me institucione funksionale që funksionojnë me integritet dhe po ashtu me profesionalizëm”, tha Haxhiu. / Gazeta Enigma.
