“Kush është Bashkimi Evropian?” – Përplasje e ashpër mes prokurorëve, Isufaj e Lumezi me qasje shpërfillëse ndaj BE-së

“Kush është Bashkimi Evropian?” – Përplasje e ashpër mes prokurorëve, Isufaj e Lumezi me qasje shpërfillëse ndaj BE-së

Kritikat e Bashkimi Evropian lidhur me moszbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës, po shpërfillen nga disa anëtarë të sistemit prokurorial.

Këto qëndrimet janë shprehur në mbledhjen e mbajtur në mes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, me kryeprokurorët e prokurorive, më 28 janar, audio-incizimin e së cilës e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në fjalën e tij ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me moskonstituimin e Këshillit, është i ndikuar nga një grup i interesit.

Me konstitutimin e Këshillit, do t’i hapej rruga certifikimit të rezultatit për procesin zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së, e që është Elza Bajrami- Kastrati,

Mirëpo, sipas kryeprokurorit Isufaj, Zyra e BE-së në Kosovë është e njëanshme dhe si e tillë nuk ka standard të BE-së.

Kryeprokurori Isufaj: Ma së pari jom i befasum pse zyra e BE-së komunikon në këtë formë. A jemi na armiq me ta apo ku është problemi? Pse unë duhet me u njoftu përmes mediave për një letër ose një shqetësim të paktën që e shpreh ambasadori i BE-së. Në fund të fundit ambasadori i BE-së sikur të ishte ma në nivel të detyrës ish dashtë me u taku me ty. Dhe ambasadori i BE-së duhet me ditë kornizën ligjore dhe situatën në të cilën gjendeni ju si Këshill. Meqenëse e morën të tjerët fjalën që s’janë anëtarë të Këshillit kam të drejtë edhe unë. Kjo është një kërkesë që ka ardhë prej Mattsit, e Matts përfaqëson një grup. S’ka diskutim, e dijmë kush është Matts, për mua është non grata. Na duhet me bashkëpunu me secilin po ligjin nuk mundesh me shkel ti as kërkush për kërkon.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Jo, jo, të lutem.

Kryeprokurori Isufaj: Dispozitat ligjore janë të qarta dhe ta kallxojnë ty punën por po harroni se i keni procedurat në gjykatë, që jau kanë ndalu edhe juve punën. A është e vërtetë që është një vendim i gjykatës që ju ka thanë që s’mund të ndërmerrni asnjë veprim derisa të mos vendoset në substancë çështja. Atëherë pse duhet me shkel ligjin për hatër të dikujt?

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: I nderum.

Kryeprokurori Isufaj: Jo i nderum, edhe unë po të boj pyetje.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Po, po, dëgjoni.

Kryeprokurori Isufaj: Detyra e BE-së është e njëanshme pikë. Unë jam Blerim Isufaj që po e them me 1 milion argumente, jo me një. Derisa Matts përfaqëson Zyrën e BE-së këtu s’ka standard të BE-së.

Kësaj deklarate i reagoi prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Shqipdon Fazliu, i cili tha se qëndrim të njëjtë sikur të BE-së kanë ndarë dhe autoritetet e tjera ndërkombëtare dhe shoqëria civile, andaj nuk mund të jetë i njëanshëm.

Mirëpo, ky reagim çoi në përplasjen mes tyre, duke kaluar diskutimin personal.

Prokurori Fazliu: I ka arsyet e veta Blerimi që mendon ashtu, nuk i di, derisa nuk i di nuk mund me u pajtu. Nuk mendoj që Bashkimi Evoprian është i njëanshëm, edhe Komisioni i Venecias ka konstatu të njëjtën, shoqëria civile e ka konstatu të njëjtën, Ambasada Amerikane ka konstatu dhe ka pas raport të njëjtë, edhe Raporti i Progresit ka evidentu të meta dhe shkelje të mëdha në sistemin prokurorial, kështu që nuk është veç një Bashkim Evropian. Ka një sërë organizatash ndërkombëtare duke përfshi edhe shoqërinë civile. Edhe njëherë po them nëse ka informata të tjera Blerimi që nuk i dijmë në rregull, por së paku mos të dalim këtu që krejt jemi pajtu se nuk mendoj që Bashkimi Evoprian është i njëanshëm.

Kryeprokurori Isufaj: Jo ty unë s’të kërkoj kurrë me u pajtu me mu për një arsye, veç edhe diçka. Na kur flasim ma së pari duhet me kanë korrekt me vetveten, duhet me kanë parimor me vetveten. P.sh ky nuk ka faj, ky me 800 euro shtesë e bon edhe punën e koordinatorit edhe prokurorit.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Unë ju kisha lut.

Kryeprokurori Isufaj: Jo, jo të lutem s’ka pse. I merr 800 euro shtesë i bon dy detyrat kundërligjshëm. Nisim njëherë prej vetit, e mos të flasim për gjëra të tjera për mënyra se si është katapultu prej Gjilanit këtu një njeri që kurrë s’ka mbajt gjykim në sallë, eventualisht ka mujt me mbajt një gjykim në sallë me një gjyqtar pa avokat hiç, edhe me na shit mend neve këtu.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: I nderuar kryeprokuror dhe i nderuar prokuror. Dëgjo, të lutem të lutem.

Prokurori Fazliu: Jo, duhet me ma dhanë fjalën apet.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Kjo po kalon në një situatë që me të vërtetë pika e ndryshme nuk e zë. Urdhno shkurtimisht nëse don, po nëse e zgjatim.

Prokurori Fazliu: Jo veç me u përgjigj, jo për tjetër. Unë i thash pa dashtë me polemizu nëse ki diçka.

Kryeprokurori Isufaj: Unë s’permenda ty emër, ti përmende mu.

Prokurori Fazliu: Po jo more s’përmenda emër, thash nëse ki diçka që unë s’e di noshta kisha mendu diçka si ti, po unë s’pe di qata që ti pe din, përderisa unë se di qata që ti pe din nuk mendoj që osht i njëanshëm, qështu fola… ti u kape te shtesat, u kape te katapultimi jem.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Dëgjoni dëgjoni, ju lutem.

Prokurori Fazliu: Unë tek jom katapultu a po?

Kryeprokurori Isufaj: Pse qysh ke ardhë, qysh ke ardhë kallxom. Po s’ke faj ti, i ka fajet qeky, që s’meriton as këtu me kanë.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Nëse më keni kuptu drejt në fjalën që e morët dhe përgjigjen që ta dhash, besoj që këto biseda e kalojnë cakun, andaj ju kisha thanë. Të lutem, të lutem.

Prokurori Fazliu: Nëse don qeky ku jom, kur dush le të flasim unë e ti çka dush që ki.. (nuk kuptohet).

Kryeprokurori Isufaj: Unë me ty shumë pritoj me fol se s’je i nivelit, po për me u ballafaqu me ty nuk e kam problem hiç në asnjë formë.

Prokurori Fazliu: Që s’jem të nivelit pajtona plotësisht me ty, a plotësisht pajtona 100 për qind që s’jem të nivelit.

Lidhur me mbajtjen e dy pozitave, prokurori Faziu, përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se ligjshmëria e pozitave është konstatuar edhe nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“Takimi i 28 janarit 2026 ishte diskutim profesional mbi funksionimin e sistemit prokurorial dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë. Nuk e konsideroj të dobishme të komentoj deklarime individuale; theksoj se angazhimet e mia institucionale janë ushtruar në përputhje me ligjin dhe nuk paraqesin konflikt interesi (pozita e koordinatorit ushtrohet që nga viti 2014). Kjo tashmë është konstatuar edhe zyrtarisht nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (shkresë e cila mund të vihet në dispozicion sipas kërkesës suaj). Procesi i avancimit tim është i dokumentuar dhe i zhvilluar në përputhje të plotë me kornizën ligjore në fuqi (i realizuar në vitin 2018)”, ka thënë prokurori Fazliu.

Kryeprokurori special, Blerim Isufaj, nuk është përgjigjur.

Tutje, diskutimit të 28 janarit ju bashkua edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, tani prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi shprehet kundër qëndrimeve të Bashkimit Evoprian, duke thënë të jenë të ndikuara nga shoqëria civile dhe individë që duan ta shohin të dështuar sistemin prokurorial.

Sipas tij, anëtarë të sistemit prokurorial bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare me qëllim të dëmtimit të sistemit.

Mirëpo, i pyetur nga prokurori Fazliu se pse qëndrim të njëjtë BE nuk ndan edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Lumezi nuk pranon të japë mendimin e tij, mirëpo thotë se ka interesa të tjera.

Prokurori Lumezi: Ma së pari deshta me thanë që kjo kërkesë të cilën e ka bo Shqipdoni është plotësisht e paarsyeshme dhe kom dyshime që kjo u bë për tendenca të caktume që edhe institucioni i prokurorit të shtetit me hy në debate në të cilat ka hy Këshilli Prokurorial i Kosovës. Edhe ato debate dhe kundërshtime veç e ashpërsojnë situatën brenda sistemit, nuk e përmirësojnë situatën. Shqipdoni duhet me ditë shumë mirë cilat janë kompetencat e prokurorëve të shtetit dhe cilat janë kompetencat e Këshillit Prokurorial të Kosovës që janë dy institucione kushtetuese të pavarura. Dhe Kushtetuta nuk i ka bë rastësisht ndarjen e këtyre dy institucioneve veç në letër, por faktikisht duhet edhe në praktikë me ekzistu ndarjen e këtyre dy institucioneve dhe me respektu si e tillë. Jo me pas tendenca për ndërhyrje në punën e Këshillit Prokuroral të Kosovës. Dihet shumë mirë kush bashkëpunon me autoritet dhe subjektet ndërkombëtare, vetëm Kryeprokurori i Shtetit, asnjo prej neve nuk ka të drejtë me bashkëpunu me autoritete ndërkombëtare por duhet ndërpërmjet Kryeprokurorit të Shtetit. A kemi na informacione që shumë prej neve bashkëpunojnë me autoritetet ndërkombëtare? Pse bashkëpunojnë? Nuk bashkëpunojnë në interes të sistemit prokurorit, por me dëmtu këtë sistem bashkëpunojnë. Na duhet me kanë të unifikum jo të përçamë. Ka anëtarë të Këshillit Prokurorial që dalin e sulmojnë Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, vendimet dhe veprimet e prokurorit të shtetit, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit pa punu asnjë ditë brenda sistemit prokurorial. A duhet me diskutu këtu, a është kjo pavarësi e institucionit të Prokurorit të Shtetit apo kontrolli institucional që po dojnë me e bo mbi neve nëpërmjet frikës që po dojnë me na bo edhe partnerët ndërkombëtarë, edhe shoqëria civile edhe mediat. Çka Bashkimi Evropian kërkon këtu thotë vendimet të kundërligjshme. Kush është Bashkimi Evropian? Kush ua jep ato raporte që bojnë Raporte të Progresit? Shoqëria civile dhe individë që dojnë me pa të dështum sistemin prokurorial.

Prokurori Fazliu: Me KGJK-në pse s’osht e njëjta? Hajde po pajtona me ty veç pse me KGJK-në s’osht njëjtë?

Prokurori Lumezi: Jo, jo njësoj, s’po du me fol për KGjK por po du me fol për KPK-në, për KPK-në se për KGJK ka interesa ndryshe.

Prokurori Fazliu: Se na shumë të hjeshëm, e po na kanë inati.

Lumezi: I dina shumë mirë, po s’po dojna me i cek këtu cilat janë pse me KGJK s’ka.

Prokurori Fazliu: Jo, foli, jo foli tash.

Prokurori Lumezi: S’po foli për KGjK se s’jemi këtu me fol për KGJK-në, fol ti nëse don.

Prokurori Fazliu: Pse me KGJK-në nuk është e njëjta qasje?

Kryeprokurori Isufaj: Veç edhe diçka kryeprokuror, ju besoj e dini kompetent për mbarëvajtjen dhe sundimin e sistemit të drejtësisë nuk janë deklaratat politike të ambasadave, në Kosovë është EULEX. Ku e ka thanë? Është OSBE-ja që përpilon raporte vjetore, kur kanë thanë? Por flasin grupet e interesit do rrugeçë që na kanë hi në sistem.

Prokurori Fazliu: Nëse shumica mendon qeshtu, atëherë dalim thojna gabim jon ata. Shumica le të thojnë gabim, në rregull jena.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: I nderum, dhe të nderuar, shumë të nderuar.

Prokurori Fazliu: Na paskan inati.

Prokurori Lumezi: S’mundet me thanë BE-ja vendimet t KPK-së janë të kundërligjshme kur i kemi në fazën e procedurës.

Prokurori Fazliu: Gjykata Supreme të ka thanë.

Lumezi: Ato s’po themi.

Prokurori Fazliu: Nëse shumica mendojnë që BE-ja ka faj thojna bre paska faj dhe në rregull jena.

Përgjigje për qëndrimin e tij nuk ka dhënë as prokurori Lumezi.

Ndërsa, lidhur me reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, prokurori Fazliu nuk e ka komentuar më shumë, duke thënë se bashkëpunimi dhe respektimi i tyre përbën standard profesional.

“Bashkëpunimi i ngushtë dhe respekti ndaj partnerëve ndërkombëtarë përbëjnë jo vetëm standard profesional, por edhe domosdoshmëri institucionale për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e besimit publik dhe avancimin e integrimit evropian të sistemit të drejtësisë”, ka shtuar prokurori Fazliu.

Në fund të këtij takimi, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i njoftoi të njëjtit se do të dalë me komunikatë lidhur me qëndrimin e BE-së, ashtu siç edhe ndodhi.

U.d Kryeprokurori i Shtetit, Qalaj: Andaj, edhe bashkëpunimi institucional ndërkombëtar në shkëmbimin e informacioneve dhe të ashtuquajtura letra kanë përgjigje. Të lutem. Do të dal me komunikatë për mbledhjen e sotme dhe të shqyrtoj mundësinë të dal me komunikatë edhe për situatën që është krijuar. Kjo është vetëm në aspektin ligjor asnjë narrativë tjetër. Unë udhëhiqem nga kjo, nga ky aspekt. Edhe në Këshill edhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit edhe në raport me të gjitha prokuroritë këtu, edhe me kryeprokurorë, vetëm ligji korniza ligjore, narrativa tjetër bjen.

Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, po më 28 janar, Qalaj doli me komunikatë përmes së cilës pretendonte se ka ndërmarrë të gjitha veprimet bazuar në kapacitetet institucionale, duke u bazuar në ligj.

Nga dështimi i mbledhjes së parë të 20 janarit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur edhe dy mbledhje të tjera konstituive, të cilat po ashtu kanë dështuar.

Related Articles