Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e tretë ka miratuar disa vendime me rëndësi për funksionimin e ndërmarrjeve publike lokale dhe organizimin e brendshëm të Kuvendit, dhe është bërë betimi i katër asamblistëve të rinj të Kuvendit, raporton Gazeta “Enigma”.
“Kuvendarët e Gjilanit miratojnë vendimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve në NPL “Tregu”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Eco-Higjiena”. Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, në seancën e sotme, ka miratuar propozim vendimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve NPL “Tregu”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Eco-Higjiena”, sikur edhe propozim vendimin për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Kuvendit të Komunës në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK)”.
Seanca u shoqërua me tensione politike, pasi opozita (LDK-PDK) lëshoi sallën në shenjë kundërshtimi ndaj propozimeve të LVV-së për përfaqësim në AKK, duke kërkuar përfshirjen e tri partive më të mëdha.
“Opozita (LDK-PDK), kanë lëshuar sallën, pasi nuk u pajtuan me propozimet e grupit të LVV-së, sa i përket katër emrave të propozuar për Asociacionin e Komunave të Kosovës, duke kërkuar përfaqësim të tri partive më të mëdha në AKK”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje ata kanë njoftuar se “kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar, po ashtu, edhe propozim vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit, propozim vendimin për themelimin e Komiteteve të Kuvendit, ndërkaq kanë miratuar edhe listën e veçantë të pronave komunale për dhënien në shfrytëzim për vitin vijues, të cilën e ka arsyetuar Eljesa Rashiti, drejtoreshë për Kadastër, e propozim vendimin për lirimin e përkohshëm të pagesës së gjobës komunale për regjistrime të mëvonshme të lindjes dhe vdekjes, të cilën e ka arsyetuar drejtori i Administratës, Elbasan Shabani”.
“Gjatë seancës së të enjtes, Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën për aprovimin dhe vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për vitin 2025, sikurse edhe propozim vendimin për themelimin e KKSB-së”.
Një moment i veçantë i seancës ishte betimi i katër anëtarëve të rinj të Kuvendit, ku Albulena Hajdari, Laurant Shabani, Hekuran Rapuca dhe Ali Selimi zëvendësuan katër të tjerë që ditë më parë u emëruan në pozita të drejtorëve komunalë.
“Për më tepër, në këtë seancë, kanë dhënë betimin edhe katër anëtarët e rinj të Kuvendit, Albulena Hajdari, Laurant Shabani, Hekuran Rapuca e Ali Selimi, të cilët i zëvendësojnë Kushtrim Ibrahimin, Bajram Isufin, Mimoza Kadriu Qerimin e Isa Agushin, pasi këta të fundit u emëruan në pozita të drejtorëve komunalë”. /Gazeta Enigma/
