Në 24 orët e fundit, Policia e Kosovës ka evidentuar tetë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të vendit, duke reflektuar një situatë shqetësuese me konflikte që kanë përfunduar me arrestime, ndalime dhe ndërhyrje të institucioneve sociale.
Në Prizren, A.R (24-vjeçar) është arrestuar pasi dyshohet se në mënyrë sistematike ka ushtruar dhunë ndaj familjes së tij. I njëjti rezulton recidivist i dhunës në familje dhe është dërguar në ndalim 48-orësh me urdhër të prokurorit.
Në Vitomiricë të Pejës, M.L (20-vjeçar) dyshohet se ka goditur bashkëshorten me shuplaka pas një mosmarrëveshjeje. Viktima nuk ka pësuar lëndime serioze, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është raportuar në Prishtinë, ku U.S (30-vjeçare) dyshohet se ka kapur për fyti ish-bashkëshorten pas një konflikti lidhur me takimet me fëmijën. Edhe në këtë rast, prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit dhe lirimin në procedurë të rregullt.
Në Istog, rasti merr përmasa më të rënda. Xh.B (51-vjeçar) dyshohet se ka goditur bashkëshorten dhe vajzën 11-vjeçare. I dyshuari, i cili sipas familjarëve ka probleme mendore dhe është pacient i trajtimit psikiatrik, është dërguar në ndalim 48-orësh dhe transferuar në Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë nën mbikëqyrje policore.
Në Gjilan, A.Q (27-vjeçar) është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kërcënuar me thikë familjarët e tij. Si recidivist i kësaj vepre penale, ai është ndaluar për 48 orë.
Në Klinë, një konflikt mes motrës dhe vëllait ka përfunduar me dërgimin e viktimës në shtëpinë e sigurt, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit.
Në Fushë Kosovë, një përplasje fizike mes nënës dhe vajzës ka rezultuar me trajtim mjekësor për ankuesen, ndërsa të dyja janë intervistuar si të dyshuara dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Numri i rasteve brenda një dite sinjalizon rritje të tensioneve familjare dhe dhunës brenda mureve të shtëpisë, ndërsa institucionet po trajtojnë secilin rast sipas procedurave ligjore.
Hetimet për të gjitha rastet janë në vazhdim.
