Kryetari i komunës së Istogut, Ilir Ferati bashkë me struktura të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familjarë, kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, në 4-vjetorin e vdekjes së tij.
Në njoftimin e lëshuar nga LDK, thuhet se sot kujtohet një personalitet dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, “njeriu që ishte shembull i përkushtimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës, nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Istogut, Haki Rugova”.
“Angazhimi i tij ishte i pandalshëm në proceset e vështira të Kosovës. Ai për më shumë se tre dekada qëndroi i palëkundur në veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Prandaj si i tillë, mbetet dhe kujtohet gjithmonë si model i njeriut të urtë e punëtor, i afërt dhe bashkëpunues. Lavdi jetës dhe veprës së Haki Rugovës. I përjetshëm kujtimi për të!”, thuhet në njoftim.
