Një unazë që në pamje të parë duket si çdo tjetër, por që fsheh teknologji të avancuar, po shndërrohet në objektiv të qeverisë së Trump për përdorim masiv.
Bëhet fjalë për Oura Ring, pajisjen smart finlandeze që monitoron parametrat vitalë të përdoruesve, duke përfshirë rrahjet e zemrës, temperaturën e trupit, gjumin dhe ciklin menstrual. E lancuar nga kompania Oura në 2016 përmes Kickstarter, unaza ka arritur të dominojë rreth 70% të tregut amerikan të smart ring-eve dhe ka rritur vlerën e kompanisë në 11 miliardë dollarë.
Sekretari i Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., ka deklaruar se synimi është të bëhet i zakonshëm përdorimi i Oura Ring nga çdo amerikan brenda katër vitesh, duke e lidhur këtë me lëvizjen MAHA (Make America Healthy Again) dhe duke argumentuar se monitorimi i shëndetit në këtë mënyrë mund të parandalojë sëmundje dhe të ulë kostot shëndetësore.
Megjithatë, sfida më e madhe mbetet rregulli i FDA (Food & Drug Administration), që aktualisht ndan pajisjet wearable midis “produkteve të mirëqenies” dhe “pajisjeve mjekësore”. Për të mundësuar funksione më të avancuara, si matja e presionit të gjakut, Oura propozon krijimin e një kategorie “hibride” që paralajmëron për sëmundje, pa dhënë diagnozë të plotë mjekësore, duke u përpjekur të zbusë rregulloret përmes lobby-ve intensive dhe kontratave me agjenci federale.
Që nga 2024, investimet e kompanisë në lobby janë rritur ndjeshëm, përfshirë një kontratë 96 milionë dollarëshe me Defense Health Agency (DHA) për furnizimin e unazave tek stafi i Forcave të Armatosura amerikane dhe hapjen e një fabrike të re në Teksas.
Ndërkohë, shqetësimet për privatësinë janë rritur, pasi menaxhimi i të dhënave shëndetësore të miliona qytetarëve mund të përdoret për mbikëqyrje masive, si dhe lidhjet e mundshme me kompani si Palantir kanë nxitur debate mbi përdorime “off-label” të pajisjes.
Përdorimi masiv i Oura Ring shihet si një mjet për parandalim shëndetësor, por edhe si një sfidë e madhe për privatësinë dhe etikën e mbikëqyrjes në SHBA, ndërkohë që kompania dhe qeveria punojnë për të integruar pajisjen në jetën e përditshme të qytetarëve amerikanë.
