Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës për gazetarët, foli për protestën e së enjtes që do të mbahet në orën 10:00.
Sipas kryedemokratit dita e enjte do të shënojë një etapë të re vendimtare për vendin, ndërsa shtoi se ‘opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore që do të rrëzojë regjimin’.
“Kështu që nesër shënon një etapë të re vendimtare, në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi, armiqësor në të gjithë qenien e tij ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tyre.
Me besim të madh tek qytetarët shqiptarë se do ti dalin zot ëndrrës së tyre më të bukur, interesit të tyre kombëtar, interesit të tyre personal, familjar, të fëmijëve të tyre, opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar, armiqësor të shqiptarëve.
Ndaj dhe duke denoncuar me forcën më të madhe këtë zhvillim tmerrësisht negativa dhe me pasoja për vendin, le ti zotohemi Edi Ramës se, ai nuk do të gëzojë kurrë këtë që mendon, dhe se në rast se mendon ti shpëtojë një prokurori, nuk do ti shpëtojë kurrë lëkurën e tij nga populli shqiptar, nga qytetarët shqiptarë”, tha ndër të tjera kreu i PD.
Protesta do të mbahet të enjten në orën 10:00 para Parlamentit të Shqipërisë.
