Një raport të ri i publikuar nga UNFPA, agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, tregon se shumë gra në Kosovë dhe në rajonin e Ballkani Perëndimor përballen me keqtrajtim gjatë lindjes, mungesë informacioni dhe vonesa në kujdesin shëndetësor.
Gjetjet janë pjesë e një studimi më të gjerë që përfshin vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Sipas raportit “Kujdesi Respektues gjatë Lindjes: Përvojat dhe Perspektivat e Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, gati 70 për qind e grave të anketuara në rajon kanë përjetuar të paktën një formë keqtrajtimi gjatë procesit të lindjes.
Studimi bazohet në një anketë online me më shumë se 2,600 gra që kanë lindur së fundmi në 16 vende dhe territore.
Raporti thekson se dy në tre gra raportuan përvoja negative gjatë lindjes, duke përfshirë procedura mjekësore pa pëlqim të informuar, abuzim verbal apo fizik dhe shkelje të privatësisë.
“Këto gjetje janë një sinjal i fortë alarmi. Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, i cili duhet të përfshijë kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes”, tha Florence Bauer, Drejtore Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Gjetjet kryesore nga raporti përfshijnë:
● Keqtrajtim i përhapur: 67 për qind e grave të anketuara përjetuan të paktën një formë keqtrajtimi gjatë lindjes.
● Procedura pa pëlqim: Pothuajse gjysma (48.1 për qind) e grave iu nënshtruan procedurave obstetrike – si epiziotomia, prerja cezariane apo administrimi i oksitocinës – pa pëlqimin e tyre të informuar.
● Abuzimi është i zakonshëm: Rreth 24 për qind e grave të anketuara raportuan se kanë përjetuar abuzim verbal, përfshirë bërtitje dhe poshtërim, ndërsa 1 në 10 gra raportuan abuzim fizik ose seksual gjatë lindjes ose gjatë ekzaminimeve gjinekologjike.
● Vetëdije dhe raportim i ulët: Më shumë se gjysma (53.7 për qind) e grave tëanketuara nuk ishin të njohura me termin “dhunë obstetrike”, dhe vetëm 2 për qind e atyre që përjetuan keqtrajtim e raportuan zyrtarisht përvojën e tyre, shpesh për shkak të mungesës së besimit në mekanizmat e llogaridhënies ose frikës nga pasojat.
● Pabarazi në cenueshmëri: Gratë më të reja (18–24 vjeç) dhe ato që përballen me vështirësi ekonomike ose me nivel më të ulët arsimor kishin dukshëm më shumë gjasa të raportojnë përjetime të keqtrajtimit.
Raporti thekson gjithashtu dallime të rëndësishme rajonale. Gratë nga Ballkani Perëndimor raportuan disa nga nivelet më të larta të pakënaqësisë me përvojën e tyre të lindjes. Nga gratë e anketuara, 42.7 për qind në Shqipëri dhe 39.2 për qind në Kosovë deklaruan se ishin të pakënaqura me përvojën e tyre të lindjes – ndër përqindjet më të larta të regjistruara në mesin e vendeve të përfshira në studim.
“Në kuadër të publikimit të raportit, UNFPA dhe Bordi dhe Kolegji Evropian i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë (EBCOG) publikuan një Thirrje të Përbashkët për Veprim, duke u bërë thirrje institucioneve dhe komunitetit mjekësor në të gjithë rajonin të ndërmarrin hapa konkretë për eliminimin e dhunës obstetrike.
Thirrja për Veprim përfshin disa masa kyçe:
- Miratimi i legjislacionit: Vendosja e kornizave ligjore që njohin rëndësinë e kujdesit respektues gjatë lindjes dhe ofrojnë mbrojtje kundër dhunës obstetrike.
- Forcimi i trajnimit profesional: Zbatimi i trajnimeve ndërdisiplinore të bazuara në të drejtat e njeriut për personelin shëndetësor, për të siguruar që dinjiteti dhe respekti të jenë në qendër të shërbimeve.
- Fuqizimi i grave dhe familjeve: Sigurimi i qasjes universale në edukimin para lindjes, që promovon ndërgjegjësimin për të drejtat dhe planifikimin e informuar të lindjes.
- Sigurimi i llogaridhënies: Vendosja e indikatorëve kombëtarë të cilësisë dhe mekanizmave transparentë të llogaridhënies, të bazuara në reagime të rregullta nga pacientët.
- Angazhimi i shoqërisë: Mbështetja e fushatave të ndërgjegjësimit të bazuara në evidencë për të nxitur raportimin dhe për të promovuar një kulturë respekti.
“Kujdesi respektues nuk është opsional; ai është një parakusht për shërbime cilësore të maternitetit,” shtoi Bauer. “Duke promovuar një qasje ndërdisiplinore dhe duke adresuar barrierat sistemike, mund të sigurojmë që çdo lindje të jetë e sigurt dhe dinjitoze”, thuhet në njoftim.
