Izraeli ka reaguar pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë, më 17 mars, të rezolutës që shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar shkruan në një postim në rrjetin social X se kjo ishte një rezolutë historike, ndërsa etiketon në këtë postim, homologun e tij shqiptar, ministrin Ferit Hoxha.
“E vlerësoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Kuvendin e Shqipërisë për rezolutën historike të miratuar sot, duke e shpallur Republikën Islamike të Iranit një shtet mbështetës të terrorizmit. Sipas fjalëve të rezolutës: Terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për shoqëritë demokratike. Ky është një tjetër demonstrim i dimensionit të qartë moral në politikën e jashtme të Shqipërisë.”, shkruan Sa’ar.
Ky reagim vjen pasi Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën duke shpallur Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste. Me vendimin e sotëm Garda Revolucionare dhe Hezbollahu shpallen organizata terroriste.
Në seancë nuk mori pjesë Partia Demokratike, e cila e konsideron si të paligjshme dhe të thirrur në kundërshtim të hapur me rregulloren e Kuvendit. Nga ana tjetër, Taulant Balla është shprehur se Shqipëria me këtë iniciativë qëndron përkrah aleatëve të saj strategjikë dhe kritikoi opozitën se nuk “doli dot mbi interesin e vogël të një proteste pa krye”.
Megjithatë, pas seancës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një deklaratë të kësaj partie në lidhje me zhvillimet në Iran.
Në deklaratë thuhet se PD-ja e shpall Gardën Revolucionare të Iranit si organizatë terroriste. Më tej theksohet se PD mbështet përpjekjet e SHBA-ve dhe Izraelit për të përmbysur diktaturën mizore teokratike të Ajatollahëve.
