Rasti i 5-vjeçarit – Ministria për Familje kërkon hetim institucional

Rasti i 5-vjeçarit – Ministria për Familje kërkon hetim institucional

Ministria për Familje ka reaguar pas rastit të rëndë, ku një 5-vjeçar dyshohet se është keqtrajtuar nga prindërit në Lipjan, teksa i njëjti po trajtohet në QKUK dhe rrezikon amputimin e dy shputave të këmbëve, si pasojë e plagëve të marra.

Në reagim, ministria thotë se asnjë fëmijë nuk duhet të përjetojë dhunë, frikë apo neglizhencë në vendin që duhet të jetë më i sigurti për të, në familje. “Dhuna ndaj fëmijëve është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.

Ndryshe, në reagim potencohet se nga momenti i njoftimit, institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve.

“Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në koordinim me Departamentin e Shërbimeve Sociale në Ministri, në përputhje me mandatet e tyre ligjore, kanë ndërhyrë menjëherë dhe 6 fëmijët tjerë të kësaj familjeje janë vendosur në strehim dhe në mbrojtje në një vend të sigurt”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, ministria thekson se ka kërkuar që Inspektorati për Shërbimet Sociale dhe Familjare të fillojë me urgjencë hetimin institucional lidhur me trajtimin e këtij rasti nga Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në mënyrë që të verifikohet nëse janë zbatuar të gjitha obligimet ligjore dhe procedurat për mbrojtjen e fëmijëve, dhe mundësive të parandalimit.

“MPFVLÇ do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Qendrën për Punë Sociale dhe institucionet tjera përkatëse për të garantuar mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve”.

Related Articles