Vulaj kërkon që ShBA-ja të marrë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi

Vulaj kërkon që ShBA-ja të marrë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka kërkuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar se procesi aktual nuk ka prodhuar rezultate konkrete.

Kjo kërkesë u bë gjatë një takimi gati dyorësh që Martin Vulaj, president i AARC-së dhe Vehbi Bajrami, ish-drejtor shërbimi në Zërin e Amerikës dhe anëtari më i ri i bordit, zhvilluan me zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh), ku në fokus ishte pikërisht ecuria e dialogut dhe perspektiva e tij.

Sipas AARC-së, dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të stërzgjatur dhe pa rezultate të prekshme.

“Procesi tashmë është zgjatur për mbi 15 vjet me rezultate të kufizuara”, u theksua në takim.

Vulaj tha se organizata vuri në pah se mungesa e progresit lidhet edhe me mungesën e vullnetit nga pala serbe.

“Serbia ka treguar pak interes të mirëfilltë për një përfundim të suksesshëm”, u tha më tej, duke kritikuar edhe mënyrën se si është menaxhuar dialogu nga Evropa.

“Qasja burokratike e Evropës deri më tani nuk ka prodhuar rezultate domethënëse”, tha Vulaj të jetë thënë në takim.

Sipas Vulajt, në këtë kontekst, AARC ka theksuar se një ndryshim i qasjes është i domosdoshëm për të arritur progres real.

AARC tha se në takim u specifikuar që, “çdo përparim real do të kërkojë një proces të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara”, ndërsa u riafirmua se “njohja e ndërsjellë mbetet politikë zyrtare e ShBA-së dhe duhet të jetë objektivi qendror i dialogut”.

Në takim, Vulaj tha se u diskutua gjithashtu marrëdhënia e fortë me Shqipërinë si një aleate e besueshme e ShBA-së, si dhe progresi i SPAK-ut në luftën kundër rrjeteve të krimit të organizuar të lidhura me Amerikën e Jugut.

“U theksua rëndësia e thjeshtimit të legjislacionit për të lehtësuar investimet e huaja, veçanërisht në funksion të zgjerimit të tregtisë nga administrata aktuale amerikane”, thuhet më tej në njoftimin që Vulaj e bëri në Facebook.

Në fund, palët trajtuan edhe çështjen e lëvizjes së studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke mbështetur të drejtën e të diplomuarve shqiptarë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

AARC theksoi se mbetet e përkushtuar që “perspektivat shqiptare të përfaqësohen qartë në Uashington” dhe që angazhimi amerikan në rajon “të vazhdojë të promovojë stabilitetin, llogaridhënien dhe prosperitetin afatgjatë”. 

Related Articles