Trump thotë se SHBA-ja është në bisedime për t’i dhënë fund luftës, Irani e mohon

Trump thotë se SHBA-ja është në bisedime për t’i dhënë fund luftës, Irani e mohon

Presidenti Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara po “bisedojnë me njerëzit e duhur në Iran” lidhur me një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, ndërkohë që Teherani kreu sulme ndaj Izraelit dhe Kuvajtit dhe mediat amerikane raportuan se mijëra trupa shtesë mund të dërgohen në rajon.

Gazeta amerikane New York Times dhe televizioni izraelit Channel 12 raportuan se SHBA-ja ia ka dërguar Iranit një plan paqeje me 15 pika.

Ato cituan zyrtarë të paidentifikuar, ndërsa as administrata Trump e as Teherani nuk e kanë komentuar deri tani këtë plan.

Trumpi i bëri këto komente të martën vonë, një ditë pasi kishte thënë se ishin zhvilluar bisedime “shumë të mira dhe frytdhënëse”, pavarësisht se figura të larta iraniane e kanë mohuar se Teherani është në bisedime me Uashingtonin.

“Ne, në fakt, po flasim me njerëzit e duhur dhe ata duan shumë të bëjnë marrëveshje. Nuk ia keni idenë sa shumë duan të bëjnë marrëveshje”, tha Trump të martën në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne jemi në bisedime tani,” shtoi ai.

Për herë të dytë brenda dy ditësh, ai tha se Irani është pajtuar se nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore.

Programi bërthamor i Iranit, për të cilin Teherani këmbëngul se është thjesht paqësor, është në qendër të tensioneve ndërkombëtare lidhur me këtë vend të Lindjes së Mesme.

Trump tha se i dërguari amerikan, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, janë të përfshirë në bisedime, së bashku me nënpresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio.

Ai nuk dha afat kohor për ndonjë takim apo telefonatë.

Trump nuk përmendi e as nuk zbuloi ndonjë zyrtar me të cilin Shtetet e Bashkuara po bisedojnë.

Ai tha se “po merremi me një grup të ri njerëzish” pas vrasjes së liderit të kamotshëm suprem, Ali Khamenei, dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë iranianë.

Trump tha se ky grup i kishte dhënë SHBA-së një “dhuratë shumë të madhe” që “mbërriti sot” dhe që lidhej me naftën dhe gazin. Ai nuk sqaroi se çfarë ishte, por sugjeroi se kishte lidhje me Ngushticën e Hormuzit, rrugën e rëndësishme detare për dërgesat e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale.

New York Times, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar, tha se është “e paqartë se sa gjerësisht është shpërndarë ndër zyrtarët iranianë” plani me 15 pika për zgjidhjen e konfliktit, i cili u dorëzua përmes Pakistanit.

Channel 12, që citoi tre burime, tha se SHBA-ja po kërkonte armëpushim njëmujor për ta diskutuar planin, i cili, ndër të tjera, përfshinte mbajtjen e Ngushticës së Hormuzit të hapur, çmontimin e programit bërthamor të Iranit, përfundimin e mbështetjes së tij për grupet e jashtme dhe heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Teheranit.

Related Articles