Komuna e Prishtina ka vendosur të ndërhyjë sot në sheshin qendror “Nënë Tereza”, duke nisur nga ora 10:00, për të larguar tabelën e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.
Vendimi vjen pasi në përmbajtjen e ekspozitës janë konstatuar një sërë gabimesh dhe pasaktësish, të cilat kanë nxitur reagime publike. Sipas njoftimit zyrtar, ekipet komunale do të realizojnë heqjen e tabelës pas pezullimit të lejes për ekspozim.
“Ju njoftojmë se sot, me datë 28.03.2026, duke filluar nga ora 10:00, ekipet e Kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza””, thuhet në njoftim
Ky veprim vjen pas vendimit të Kryetarit të kryeqytetit Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Rama, ka theksuar se një ekspozitë me gabime të tilla nuk mund të ketë vend në hapësirat publike të qytetit, duke arsyetuar kështu vendimin për ndërprerjen e saj.
Ky aksion konsiderohet si një hap për të shmangur keqinformimin dhe për të ruajtur saktësinë historike në prezantime publike.
