“Po shtrembërohet historia” – Ekspozita me pasaktësi për masakrat s’ka vend në shesh

“Po shtrembërohet historia” – Ekspozita me pasaktësi për masakrat s’ka vend në shesh

Në zemër të Prishtinës, aty ku përvjetori i bombardimeve të NATO-s duhet të shërbente si kujtesë dhe nderim për viktimat e luftës, u vendos një ekspozitë që, në vend se të ruante të vërtetën historike, e shtrembëroi atë.

Në tabelat e saj, shumë civilë të vrarë në masakrat më të rënda në Kosovë janë paraqitur si persona të armatosur, duke shkaktuar reagime të shumta.

I pari që reagoi ka qenë ish-deputeti i VV-së, Enver Dugolli. Në profilin e tij në Facebook, Dugolli tha se të dhënat e ekspozitës për masakrën janë krejtësisht të pasakta.

“Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur), aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka shkruar Dugolli, i mbijetuar i masakrës.

Edhe i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.

“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto ‘fakte’? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur. Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton”, shkroi Zeqiri.

Më i ashpër ka qenë deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, i cili ekspozitën e quajti “krim monstruoz”.

Ai kritikoi edhe Kuvendin e Kosovës për mbështetjen e ekspozitës.

“Dhe kjo ekspozitë e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë është krim duke vrarë bashkë me autorin dhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë. Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozitë, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”, ka shkruar ai.

Reagime pati edhe nga niveli institucional. Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, e quajti ekspozitën “të papranueshme” dhe “cenim të drejtpërdrejtë të së vërtetës historike”.

Ai theksoi se pasaktësi të ngjashme janë evidentuar edhe për masakra të tjera, përfshirë atë të Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht narrativa se gratë dhe fëmijët janë kursyer.

“Në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë, sipas së cilës gratë dhe fëmijët kinse janë lejuar të largohen, ndërsa burrat janë vrarë. Kjo nuk qëndron. Në Krushë të Madhe janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna, çka e rrëzon çdo përpjekje për ta paraqitur këtë krim si një veprim ‘selektiv’”, ka shkruar ministri.

Kuvendi i Kosovës e ka pranuar se e ka mbështetur financiarisht këtë ekspozitë.

Në reagimin e kuvendit është thënë se Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve.

“Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, është thënë në reagimin e Kuvendit.

Pas këtyre reagimeve, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi pezullimin e menjëhershëm të lejes për ekspozitën, duke deklaruar se nuk do të lejohet “të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive”.

“Ekspozita paraqet një version të pasaktë të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojmë lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës”, shkroi Rama në Facebook.

Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, i cili është promovuar në disa vende të botës. Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër.

Gashi, autori i librit mbi të cilin është ndërtuar ekspozita, ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Albin Kurti.

Related Articles