Hamza letër Osmanit: Emërojeni anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, mosveprimi është shkelje kushtetuese

Hamza letër Osmanit: Emërojeni anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, mosveprimi është shkelje kushtetuese

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar letër së presidentes së vendit, Vjosa Osmani në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Në letër, Hamza ka kërkuar nga Osmani që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Aty, Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.

Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.

Në letër, kreu i PDK-së argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së.

Hamza ka thënë se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte një partie tre anëtarë në KQZ, do të ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.

Ai i ka bërë thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.

Letra e plotë:

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26, konsiderojmë se tashmë është sqaruar plotësisht çdo paqartësi lidhur me aspektin kushtetues të emërimit të anëtarit të dytë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ky vendim e konfirmon qartë se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk është çështje interpretimi politik, por e drejtë kushtetuese e patjetërsueshme.

Në këtë frymë, kërkojmë nga ju si Presidente e vendit dhe garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, që të ushtroni kompetencën tuaj në përputhje me Kushtetutën dhe të procedoni pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

Mosveprimi në këtë fazë, në rrethanat kur çështja është sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese, do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe një precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve. Për më tepër, kërkojmë që të respektohet edhe praktika e deritanishme institucionale, sipas së cilës, PDK ka pasur përfaqësim me dy anëtarë në KQZ.

Sipas nenit 139, paragrafi 4 i Kushtetutës, gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend. Në situatën aktuale, Kuvendi i Kosovës ka katër grupe parlamentare.

Kjo nënkupton se në raundin e parë të shpërndarjes së anëtarëve, secili grup përfiton nga një anëtar. Dy vendet e mbetura ndahen në raundin e dytë, sipas madhësisë së grupeve parlamentare: një për grupin më të madh dhe një për grupin e dytë më të madh. Në këtë rast, kjo nënkupton përkatësisht Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte LVV-së tre anëtarë, do të krijonte një situatë kur tri grupe parlamentare kanë nga një përfaqësues, ndërsa njëra parti dominon me tre. Kjo do të ishte në kundërshtim me germën dhe frymën e Kushtetutës sa i përket KQZ-së.

Prandaj, ju bëjmë thirrje që të veproni në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të secilit subjekt politik dhe integritetin institucional të KQZ-së.

Me respekt,
Bedri Hamza

Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Related Articles