Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare, shkruan Gazeta Enigma.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një rezolute në Kuvend ka kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionim të naftës për sektorët më të ndjeshëm, duke paralajmëruar se rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale në vend.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha në seancë rritja e çmimit të naftës nuk është vetëm çështje tregu, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në çdo familje dhe biznes.
Lushaku-Sadriu ka thënë se institucionet deri më tani nuk kanë marrë masa për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve, duke shtuar se Qeveria nuk duhet të qëndrojë si spektatore në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës.
Ajo bëri të ditur se rezoluta e LDK-së kërkon nga Qeveria uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 për qind në 8 për qind, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë – bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë. / Gazeta Enigma.
