Universiteti i Tiranës ka shprehur mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët protestuan që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
UT tha se studentët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës amtare në proceset arsimore dhe profesionale.
UT tha se kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim, që siç theksuan, mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin e tyre profesional dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore.
“Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Institucioni inkurajon organet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor mbetet jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social, veçanërisht në kontekstin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thanë nga Universiteti i Tiranës.
